Akuadukti në rënim është ujësjellësi i Mustafa Pashës

Portalb dje bëri publik apelin për të ruajtur Akuaduktin e Shkupit i cili është duke u rrënuar. Ju sjellim dhe historinë e këtij ujësjellësi i cili ka qenë i Mustafa Pashës. 

Paraqitja dhe zhvillimi i kulturës islame në vendet tona është i lidhur, drejtë për drejtë, me ardhjen e turqve osmanlinj në Ballkan dhe në Maqedoni, në gjysmën e dytë të shekullit XIV, gjegjësisht kah fundi i atij shekulli. Osmanlinjtë, që nga fillimi, vendosën sistem të ri të udhëheqjes, të bazuar në vlera të reja. Me këtë dhe sidomos me përhapjen e kulturës dhe fesë islame, u bënë ndryshime të mëdha në mënyrën dhe kuptimin e jetesës, në mesin e banorëve lokal, qoftë atyre fshatarë apo të atyre që jetonin në qytete.

Karakteristikë e qyteteve, që ranë nën sundimin e Perandorisë osmane, ishte përhapja e shpejtë e fesë islame në mesin e banorëve të tyre, kështu që, për një kohë të shkurtër, këta qytete, bëheshin me shumicë myslimane. Ky proces, për rezultat kishte faktin që mënyra e jetesës në qytetet ballkanike, i ngjante kulturës islame orientale. Ashtu që me kalimin e shekujve, pamja e qyteteve, ndryshoi  krejtësisht, duke fituar karakteristika islame apo orientale. 

Ndër objektet e para të ndërtuara dhe me rëndësi të veçantë për infrastrukturën e qyteteve ishin edhe ujësjellësit. Pa to nuk paramendohej asnjë qytet në të cilin kishte të ndërtuara hamame dhe objekte tjera të mëdha. Në Shkup kishte më shumë ujësjellësa kurse Evlija Çelebi na tregon se uji për qytetin shpërndahej me ujësjellësin e Isa beut. Po ashtu për në Shkup dihet se ka pasë edhe ujësjellës të veçantë të El-Madinit dikund në Çair, që sillte ujin për Shengyl Hamamin dhe Kurshumli Hanin-dy vakëfe tjera të mëdha të ndërtuesit të xhamisë “Duqanxhik”. 

Sot në Shkup është e ruajtur vetëm një pjesë e veçantë e ujësjellësit të Mustafa Pashës, nëpërmjet të cilit u sillte uji për Shkupin nga burimet e pasura të Karadakut. Ky është një objekt impozant që tani më shumë njihet si Akuadukti i Shkupit dhe ndodhet në Vizbeg-Shkup. Mustafa Pasha, sipas burimeve të botuara osmane, “shumë vjet ishte sanxhak bej në shumë vende, si në Bosnjë, More, Vlorë, Durrës, Ohër dhe Shkup, kështu që kishte arritur deri te karriera e vezirit”. Nga vakëfnameja (dokumenti legal me të cilin atëherë zyrtarizoheshin objektet e lëna për bamirësi) e Mustafa Pashës e hartuar në vitin 1514, përveç ujësjellësit dhe të xhamisë Mustafa Pasha në Shkup, hasen edhe të dhëna për pronën e tij të vakëfuar në nahinë e Tetovës. 

Në përmbajtjen e vakëfnamesë së lartëpërmendur është theksuar se pas vdekjes së fëmijëve të tij, prona e tij e vakëfuar në nahinë e Tetovës t`i bashkangjiten imaretit dhe xhamisë së tij në Shkup.

(burimi: Vakëfet në Maqedoni në periudhën osmane, prof. dr. Ahmet Sherif, NuN, Shkup, 2006)

Lajme të ngjashme

Back to top button