Edhe historianët shqiptar përshëndesin marrëveshjen BDI-VMRO për Kalanë

Pas lëvizjes ZGJOHU! edhe Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë ka mirëpritur vendimin për fillimin e ndërtimit të tre muzeve në Kalanë e Shkupit, pa simbole fetare.

Partnerët e koalicionit BDI dhe VMRO u morën vesh që në Kala të ndërtohen: Muzeu i periudhës parahistorike (në bazën e mbetjeve të shtëpisë dardano-pajone), Muzeu i periudhës mesjetare (në bazën e themeleve të kishës bizantine), dhe Muzeu i periudhës osmane (në bazën e themeleve të kullës osmane).

“Kalaja u takon të gjithëve dhe periudhave të ndryshme të historisë, së shpejti do të nisin ndërtimet” ka thënë Izet Mexhiti për marrëveshjen politike mes dy partive në pushtet.

Ndërkaq ShHSHM në kumtesën për shtyp thotë se fare qartë dihet se së paku dy nga këto tre muze i takojnë drejtpërdrejtë trashëgimisë kulturore, historike dhe shpirtërore të shqiptarëve. 

“Vlerësojmë se me këtë ka ngadhënjyer arsyeja e shëndoshë dhe drejtësia, dhe më në fund edhe pseudoshkencëtarët maqedonas janë bindur para fakteve të pamohueshme që në vazhdimësi i ka prezantuar Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë, lidhur me të kaluarën historike të Shkupit iliro-shqiptar. Me këtë akt, edhe Pasko Kuzman pranoi realitetin se në Kalanë e Shkupit ekzistojnë themelet e shtëpive dardane-pajone, dhe me këtë u vërtetua lufta e drejtë e me fakte e historianëve shqiptar dhe shoqërisë civile shqiptare në Maqedoni. Fakti që këto muze do të jenë pa simbole fetare, dëshmon gjunjëzimin e Kuzmanit dhe të bashkëmendimtarëve të tij, për të ngritur kryqin e kishës ortodokse sllave në Kalanë e Shkupit” shkruhet në kumtesëm e ShHSHM.

Në Kalanë e Shkupit në shkurt të vitit 2011, ndodhi një incident i dhunshëm ndëretnik. Qindra të rinj dhe të tjerë jo aq të rinj morën pjesë në një përleshje masive, që u parapri nga një sulm i udhëhequr nga zyrtarë qeveritarë të shqiptarëve për shembjen e një konstruksioni në formë kishe, të ndërtuar nga një institucion qeveritar që udhëhiqet nga partneri i tyre maqedonas i koalicionit. Kryerësit e incidentit që u dënuan ishin kryesisht shqiptarë edhe pse në të morën pjesë dhe maqedonas. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button