Pse ndalohet vetingu në gjyqësor nga ndërkombëtarët?!

Anëtarja e Këshillit për reforma në drejtësi, Ana Pavllova Daneva, në një prononcim për mediat, ndër të tjerash deklaroi se procesi i rizgjedhjes dhe vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ose siç njihet ndryshe vetingu i gjyqësorit, nuk paska qenë i lejuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Bazuar në këtë deklaratë, fillimisht parashtrohet pyetja, a mund të jetë kjo e vërtetë, dhe pse do të ishte bërë një ndalesë e këtillë nga bashkësia ndërkombëtare, kur i njejti faktor është nxitësi dhe mbështetësi i pakompromistë i procesit të vetingut në R.Shqipërisë. Aq më tepër kur dihet fakti se sistemi i drejtësisë në të dy këto vende, është thuajse i të njejtës kategori, për mos të thënë se skandali i përgjimeve, dëshmoi një sistem më të frikshëm drejtësie në R.Maqedonisë, këmbë e krye i korruptuar dhe politizuar.

Si mundet faktori ndërkombëtar të ndalojë vetingun, kur fjala VETING, ska dalë asnjëherë nga goja e të parit të qeverisë, kryeministrit Zoran Zaev. Asnjëherë nuk ka pasur një nismë të tillë dhe as është diskutuar në ndonjë mbledhje qeverie, partie, fushate zgjedhore ose intervistë dhënë mediave vendase ose të huaja (të paktën jo, deri me promovimin e reformës së skriningut). Nëse vërtetë ndërkombëtaret do ta ndalonin vetingun (gjë e cila duket absurde) do të duhej minimalisht të bënte zhurmë publike nisma e kryeministrit – qeverisë, kundër kësaj ndalese të bashkësisë ndërkombëtare, për një nga proceset më transparente dhe të domosdoshme në rimëkëmbjen e sistemit të shkatërruar të drejtësisë – vetingu i gjyqësorit.

Pastaj, faktori ndërkombëtar nuk është ekzekutiv as legjislativ që të japë vendime të drejtpërdrejta – përfundimtare, edhe sikur vërtetë të kishte pasur një ndalesë të tillë, që Këshilli për reforma në drejtësi menjëherë e paska ndaluar idenë e mekanizmit të vetingut, pa bërë asnjë përpjekje në shqyrtimin e çështjes në instancat tjera. Për më shumë, qeveria apo i sapoformuari Këshilli i Reformave, do duhej të kishin dhënë arsyet se pse ndërkombëtarët ndalojnë një mekanizëm të tillë reformues. Besoj nuk duhet të jetë ndonjë sekret i klasifikuar.

Bashkangjitur me vetingun e paralajmëruar në polici, po ky Këshill Reformues i drejtësisë, me deklarata drejtuar medias, dhënë nga Ana Pavllova Daneva, jep propozime dhe arsyetime për veting të nevojshëm edhe në administratën publike, pasi sipas saj, administrata qenka e politizuar. Në anën tjetër nuk bën aspak rezistencë dhe të kërkojë veting në gjyqësor (e marrim si të mirëqenë ndalesën e ndërkombëtarëve). Megjithatë, pak a shumë kuptohet pse evitohet kjo mënyrë reforme, sepse fillimisht anëtarët e Këshillit për reforma në drejtësi, do të duhej vetë ti nënshtrohen filtrave të vetingut. Shumë prej tyre e shohin veten seriozisht të rrezikuar, të përfundojnë karrierën turpërisht me njollën e korrupsionit dhe vendimeve të padrejta – joligjore. Me gjasë mbesin edhe të papunë, pasi nuk do t`ju lejohej as ushtrimi i profesionit të avokatit.

Reformën në drejtësi e promovon dhe jetëson qeveria me mekanizmat e saj, ndërsa Këshilli për Reforma në gjyqësor është një prej mekanizmave të tij. Në këtë kuptim qeveria nuk mundet vetëm të arsyetohet me deklaratat e Këshillit, për ndalesë-vetingu nga faktori ndërkombëtar. Ajo duhet të jetë bartëse e proceseve transparente me opinionin në objektivat qeveritare, gjithmonë nëse ka pasur një synim të tillë për veting, ashtu siç veproi R.Shqipërisë me Kryeministrin Rama. Të bindë edhe më skeptikët në atë që është më e mira.

Pyetja e dytë që parashtrohet është se pse bashkësia ndërkombëtare e lejon vetingun në polici dhe administratë publike, ndërsa në gjyqësor e ndalon?! A nuk duket absurde, kur dihet se R.Maqedonisë problemin më të madh e ka me gjyqësorin e korruptuar dhe politizuar, lufta ndaj së cilës është element kyç për anëtarësimin në strukturat e Bashkimit Evropian. Duket e pakuptimtë dhe dekurajuese qasja qeveritare me reformën në drejtësi.

Kujtojmë edhe një fakt interesant që bie në kundërthënie me deklaratat e Këshillit Reformues, deklarata e zëvendës ministrit të punëve të brendshme Agim Nuhiut, i cili para disa kohësh në një takim me homologun nga R. Shqipërisë, deklaroi se edhe tek ne do të fillojë vetingu, fillimisht në polici pastaj në gjyqësor. Ndoshta kjo ishte deklarata e parë e ndonjë funksionari të lartë qeveritar që përmendi vetingun. A nuk e paska ditur zevendës Ministri i punëve të brendshme se faktori ndërkombëtar ka ndaluar vetingut e gjyqësorit në R.Maqedonisë?! E çuditshme, shqetësuese, aq më tepër kur bëhet fjalë për sugjerime dhe direktiva nga bashkësia ndërkombëtare, në çështje kaq të ndjeshme për të ardhmen e vendit.

Qeveria, në trumbetimin e reformave, tashmë nëpërmjet procesit të “skriningut”, propagandon reformën në drejtësi, pavarësisht se kohëve të fundit sikur është lënë në haresë me hedhjen në opinion të mundësive për amnisti të autorëve të 27 Prillit, gjë e cila nëse ndodh, e minon që në fillim reformën e shtetit të së drejtës. Megjithatë, çështja kyçe është se çfarë kuptohet me reformën e propaganduar, cili është mekanizmi për të pastruar gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Apo ndoshta mendohet vetëm ndryshim legjislature! Askush nga qeveritarët, madje as nga Këshilli për reforma në gjyqësor, nuk shpjegon qartë se çdo të thotë në të vërtetë reforma. Sepse ndryshimet ligjore, konkretisht me ligjin e ri për gjyqësorin, i dërguar për shqyrtim në Komisionin e Venecias, i referohet një reforme thuajse rutinore të çdo qeverie të kaluar. Çështja themeltare është se kush do ta zbatojë ligjin, mollët e kalbura të sistemit?! E palogjikshme!

Të kemi parasysh, se kur ndërkombëtarët flasin për reformat e skriningun në drejtësi, gjithmonë flasin për procesin e legjislacionit, përputhjes së tij me atë evropian. Pra nuk flitet për një mekanizëm të veçantë për pastërtinë e figurës së gjyqtarit dhe prokurorit që aktualisht është në sistem. Eshtë zgjedhje e qeverisë se cilin mekanizëm e zgjedh për pastrim të të paparshtaçmëve në sistemin e drejtësisë. Siç jemi ne dijeni, Kryeministri, vazhdimisht me reformë ka aluduar rotacionin dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kanë punuar konform dispozitave ligjore (duke aluduar më shumë në ata që përmenden në përgjime).
Të njëjtat mekanizma në emër të reformës, përdorte ish qeveria e kryeministrit Nikolla Gruevski, nëpërmjet këshillave gjyqësorë dhe atyre të prokurorëve. Madje në qeverinë Gruevski u soll ligj i veçantë në formimin e Komisionit për Verifikimin e Fakteve, i cili komision, me ankesë të palëve të ndryshme, shqyrtonte lëndët e gjykatësve dhe prokurorëve që s’kanë punuar konform ligjit.

Ndryshimi i Këshillave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, bashkë me krijimin e Këshillit Reformues për të ashtuquajturën reformë në drejtësi, si paketë e skriningut, krijon mundësinë e kapjes së drejtësisë, njëlloj siç vepronin qeveritë e kaluara. Pse kapet drejtësia në këtë mënyrë, sepse gjyqtarët dhe prokurorët, kryetarët e gjykatave, këshillave reformues, të ndryshuar dhe vënë në pozita tjera brenda sistemit, nuk i vërtetoi askush për pafajësinë e tyre profesionale – korruptive. Si të tillë, ata kapen nga politika që i emëron dhe krimi që i korrupton. Janë pa imunitet moralo-profesional. Në këto kushte, a mund të pajtohet bashkësia ndërkombëtare të mbesin në shtëpinë e drejtësisë subjekte të inkriminuar, ndalimin e vetingut, mjetin e vetëm efikas për detektimin e pjesës korruptive dhe për nxjerrjen në pah të gjykatësve dhe prokurorëve të ndershëm, me të cilët do të ngrihej shteti ligjor i se nesërmes. Kusht i domosdoshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

E gjithë barra e dështimit të reformës bie mbi qeverinë. Mosdashja e tërthortë e mekanizmit të vetingut, nuk kuptohet ndryshe, vetëm si frikë për të ardhmen e funksionarëve. Frikë nga prokurorë dhe gjyqtarë të përgatitur dhe pa-korruptuar, të cilët mund të bëhen xhelatët e padrejtësive të së nesërmes.
Edhe deputetët e parlamentit, thuajse akoma nuk e kanë të qartë çfarë është reforma e paralajmëruar në drejtësi. Kanë dëgjuar se do bëhen reforma, ju jepen urdhra politik në komisione dhe votime, e ata zbatojnë me përpikëri. Në fund shohin se s’kanë bërë asgjë pozitive, siç nuk bënin të legjislaturave paraardhëse, pos mundësi e forcave politike qeveritare dhe krimit, në kapjen e drejtësisë.

Sa i takon pozicionit të faktorit ndërkombëtar, ai është këshillues dhe kushtëzues me transparencë publike në kërkesat drejtuar qeverisë, të qarta dhe të njohura (kushtet e pranimit në BE dhe NATO). Pastaj është qeveria e cila duhet të përkushtohet në problematikat e rëndësishme për arritjen e përmbushjes së tyre. Bashkësia ndërkombëtare nuk punon me dy standarde në vendet e Ballkanit, përkundrazi, për të janë të mirëpritura të gjitha nismat e dëshmuara të suksesshme për arritjen sa më të shpejtë në realizimin e rezultateve pozitive.

Në çdo rrethanë të mundshme hipotetike, për ndalesë vetingu nga bashkësia ndërkombëtare, me shkak ndoshta çështja e ndryshimit të emrit – marrëveshja me Greqinë, për mos rëndimin eventual të situatës me zbrazjen e sistemit të drejtësisë nga shkarkime të subjekteve të drejtësisë (pavarësisht se edhe kjo duket non sens), megjithatë s’do të thotë kjo një ndalesë kategorike. Pushteti nëse është serioz dhe dëshiron vërtetë mekanizmin e vetingut në gjyqësor, duhet të iniciojë dhe insistojë me të gjitha energjitë për të realizuar atë. Ngase me reformën aktuale që po nis të bëjë, do të jemi dëshmitarë të dështimit të radhës, siç nuk kishin sukses reformat e Gruevskit. Ёshtë e njëjta metodologji, reformë nëpërmjet Këshillave dhe Komisioneve të verifikimit, nga subjekte me potencial të kriminalizuar. Së fundmi jemi dëshmitarë për shfuqizimin e Komisionit, për verifikimin e fakteve, i cili pushoi se ekzistuari, duke kaluar kompetencat në Këshillin Gjyqësor, sepse nuk kishte asnjë vlerë, përkundrazi rëndoi buxhetin e shtetit, ju hodhi hi syve të njerëzve për kinse reforma. Ish qeveria Gruevski e shndërroi në mekanizëm plus për të kapur drejtësinë, siç mund të bëjë qeveria Zaev me Këshillat e tij.

Pa rivlerësimin e subjekteve të drejtësisë, kalimin në filtrat e verifikimit të pasurisë së tyre dhe familjarëve; pastërtinë në lidhje me krimin e organizuar; aftësive profesionale; çështjeve të gjykuara; pa vënë para bankës së kontrollit gjyqtarët dhe prokurorët, ata shumë prej të cilëve kanë shkatërruar në “efekt domino” gjithë sistemin shoqëror në vend, nuk mund të ndërtojmë drejtësinë e së nesërmes, nuk mund të formohet asnjë këshill apo komision i pastër dhe profesional gjyqtarësh dhe prokurorësh, kryetar gjykatash dhe tërësinë e subjekteve të gjithë niveleve gjyqësore dhe prokurorive.

Në shtetet e dobëta juridike si R.Maqedonisë, vetingu në drejtësi një ditë do të ndodhë, është i pashmangshëm, ndërsa i palogjikshëm të ndalohet nga bashkësia ndërkombëtare, përkundrazi ajo është inkurajuese e punëve të duhura. Megjithatë, çdo vonesë, është mundësi e radhës për xhepat e hajdutëve; barrë e taksapaguesve në reformat fiktive; zhvillimi i kriminalitetit; varfërimi i mëtejshëm i popullatës, plus që vendit i boshatisen burimet njerëzore nga migrimi i hovshëm.

Ёshtë dhe do mbetet përgjegjësi e klasës politike qeverisëse, të mendojë logjikshëm dhe të jetë e drejtë – serioze në çështje të rëndësishme, e jo të arsyetohet – përpiqet në propaganda boshe ndërkombëtarësh. Në të kundërtën ajo mundohet të kapë drejtësinë në emër të reformës, edhe nëse këtë nuk e ka qëllim momental. I korruptuari dhe i paafti subjekt i drejtësisë, nënshtrohet kurdoherë që të ketë nevojë krimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button