Qeveria e Kosovës nuk pranon zgjidhje dualiste për serbët e veriut

Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i shpërfillë të gjitha strategjitë për integrimin e veriut që mund të bëhen nga qarqe të ndryshme ndërkombëtare, e që nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi është zotuar të shtunën se serbëve të veriut nuk do t’u jepet asgjë më shumë se serbëve që jetojnë në anët e tjera të Kosovës.
“Zgjidhje dualiste për komunitetin serb në veri nuk do të ketë”, ka thënë ai për “Kohën Ditore”. Një nga koncesionet e parapara me planin e përfaqësuesve ndërkombëtarë, e që del jashtë Pakos së Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës, është shtimi i numrit të vendeve të garantuara për serbët e katër komunave veriore.

Por Kuçi ka mohuar që Qeverisë t’i jetë kërkuar diçka e tillë. Edhe sikur t’i kërkohej ditëve në vijim, ai ka thënë se përgjigjja e Qeverisë, do të jetë Jo. “Qëndrimi ynë është çdo zgjidhje, çdo ndryshim, dhe çdo veprim që mund të bëhet, të jetë në harmoni me Kushtetutën”, ka ripërsëritur ai.

Realisht, Kushtetuta është një akt që mund të ndryshohet! “Po, por ne nuk jemi të interesuar që ta ndryshojmë atë”, është përgjigjur Kuçi. Ai ka thënë se në këtë fazë të zhvillimeve politike në vend, është e pritshme që nga qarqe të ndryshme të politikës dhe të shoqërisë civile të lansohen lloj-lloj idesh e propozimesh për veriun, mirëpo Qeveria do të jetë e hapur me qytetarët për çfarëdo veprimi që do ta ndërmarrë në të ardhmen./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button