Përmbledhje pyetjesh lidhur me agjërimin

Pyetja: Kush e ka detyrë të agjërojë në muajin e Ramazanit dhe cila është mirësia e agjërimit të Ramazanit dhe e agjërimit të vullnetshëm?

Përgjigje: Muajin e Ramazanit e ka për detyrë të agjërojë çdo musliman e muslimane që ka arritur moshën në të cilën ngarkohet të kryejë adhurimet e urdhëruara.

Gjithashtu edhe prindërit e tyre kanë detyrë t’i urdhërojnë fëmijët të agjërojnë Ramazanin, ashtu siç kanë detyrë t’i urdhërojnë fëmijët e tyre që të falin namaz në këtë moshë.

Për këtë çështje, Allahu, subhanehu e teala, urdhëron në Librin e Tij:

“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.  (Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë.” (El-Bekare, 183-184)

Dhe:

“Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme.” (El-Bekare, 185)

Gjithashtu, edhe i Dërguari i Allahut ka thënë: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe haxhi në Qabe”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Për këtë çështje flet edhe hadithi i Omerit, radijallahu anhu, i cili përcjell përgjigjen e të Dërguarit të Allahut dhënë Xhibrilit alejhi selam, kur ai e pyeti se ç’është Islami:

“Të dëshmosh se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të kryesh Haxhin, nëse i ke mundësitë”. (Transmeton Muslimi)

Në dy “Sahihët”transmetohet hadithi i përcjellur prej Ebu Hurejres, radijallahu anhu, i cili tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin me besim të plotë dhe duke shpresuar edhe shpërblimin, atij i janë falur mëkatet që ka bërë më parë”.

Gjithashtu, i Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu thotë: “Çdo punë e njeriu e bën për veten e tij, puna e mirë shpërblehet me dhjetë të mira si ajo deri në shtatëqind herë më shumë, përveç agjërimit, sepse agjërimi bëhet vetëm për Mua dhe Unë do ta jap shpërblimin për agjërimin. Për mua njeriu ka lënë epshet dhe ngrënien e pijen. Për agjëruesin ka dy gëzime: Njërin gëzim e ka kur hap agjërimin dhe gëzimin tjetër do ta ketë kur të takohet me Zotin e tij dhe, era e gojës së agjëruesit tek Allahu është më e mirë se era e miskut”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Janë të shumta dhe të njohura hadithet që tregojnë vlerat dhe mirësitë e mëdha të agjërimit të Ramazanit dhe të agjërimit në përgjithësi.

Vetëm Allahu udhëzon në veprimin më të drejtë!

Pyetja: Çfarë mendoni ju për atë që është me punë të rëndë, a i lejohet ta prishë agjërimin?

Përgjigje: Lidhur me këtë çështje, që ai ta prishë agjërimin për shkak të punës, mendoj se është haram, nuk lejohet. Nëse nuk mundet t`i bëjë bashkë punën dhe agjërimin atëherë le të marri pushimin në Ramazan, kështu që t`i mundësohet agjërimi në Ramazan.

Kjo, sepse agjërimi i Ramazanit është një prej shtyllave të Islamit, gjë që nuk lejohet të lihet

Pyetje: Kur i detyrohet agjërimi një femrës muslimane?

Përgjigje: Femra muslimane detyrohet për të agjëruar atëherë kur futet në moshën e pjekurisë (bilig). Femra futet në bilig (moshën e pjekurisë) kur mbush pesëmbëdhjetë vjeç, kur qimet dalin në vendet e turpshme, kur i vijnë menstruacionet apo kur mbetet shtatzënë. Ndaj nëse njëra prej këtyre dukurive shfaqet tek një femër e ka të detyruar të agjërojë Ramazanin, edhe në qoftë se i ka dhjetë vjeç.

Shumica e femrave ju vjen menstruacioni në moshën 11 apo 12-vjeçare, ndaj shumë familje nuk e përfillin dhe as nuk i japin rëndësi kësaj dukurie nga injoranca, sepse mendojnë se është ende e vogël dhe nuk e ka detyrim agjërimin. Ky është një gabim, por duhet ta dijë çdokush se nëse femrës i vjen cikli mujor, ajo është futur në bilig (moshën e pjekurisë) dhe detyrohet për çdo adhurim, ndaj lapsi fillon të shkruajë çdo vepër.

Përmblodhi: Abdyl Fuga

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button