E paqartë e ardhmja e Termocentralit “Kosova e Re”

Rreth 20 milionë euro do të paguante Qeveria e Kosovës në rast të dështimit apo tërheqjes nga marrëveshja me kompaninë “ContourGlobal” për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, shkruan REL.

Kjo pagesë do të ishte një penalizim ndaj Kosovës në rast se nuk e respekton marrëveshjen tashmë të nënshkruar me kompaninë amerikane.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, thonë se Termocentrali “Kosova e Re”, do të jetësohet. Këshilltari për ekonomi në Qeverinë e Kosovës, Haki Shatri, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Kosova nuk do ta prish marrëveshjen me “ContourGlobal”.

“Nuk ka disponim që Kosova të tërhiqet prej marrëveshjes me “ContourGlobal” për Kosovën e Re. Ne jemi të vendosur që të shkojmë përpara. I kemi dëgjuar disa qëndrime të Bankës Botërore para dy ditësh, por ne jemi të sigurt që kjo do të ndodhë, sepse jemi duke punuar dhe i kemi të sigurta edhe burimet alternative të kreditimit”, tha Shatri.

Arrihet marrëveshja për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”

Por, ndryshe mendon Bajram Hasani, i cili deri para disa javësh ishte Ministër i Tregtisë dhe Industrisë. Hasani ishte edhe anëtar i Komitetit Ndërqeveritar për “Kosovën e Re”, komitet ky që ka marrë vendimin për nënshkrimin e kontratës.

Tërheqja e Bankës Botërore, sipas Hasanit, tregon se Kosova është vend i pasigurt për investime.

“Është lajm i keq, sepse aty jo vetëm që thuhet për shkak të energjisë alternative, mirëpo tregon edhe një pasiguri, se Kosova është një vend i pasigurt për investime dhe frika ose tash mundësia reale është që të dështojë komplet ky investim, sepse momentin që është tërhequr Banka Botërore, unë pres që të tërhiqen edhe institucionet tjera”.

“Nëse ky projekt dështon për çfarëdo arsye, po e themi problemet nga ana e Kosovës, por edhe nga kompania që e ka nënshkruar marrëveshjen, Kosova dëmtohet apo buxheti i Kosovës, diku 19.6 milionë euro, afër 20 milionë euro”, thotë Hasani për Radion Evropa e Lirë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button