Rektori i USHT-së për vizitë në Universitetin e Tiranës

Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Doc.Dr.Vullnet Ameti i shoqëruar nga Prorektori për Arsim, Doc.Dr.Fehari Ramadani dhe Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Dr.Arbër Çeliku, Dekani i FSHMN-së, Prof.Dr.Fauzi Skenderi dhe Dekani i Fakultetit Filozofik Doc.Dr.Fatbi Osmani e vizituan sot Universitetin e Tiranës. 

Në fjalën e tij, Rektori i Universitetit të Tiranës theksoi se me Universitetin Shtetëror të Tetovës do të bashkëpunohet në dy drejtime kryesore. Së pari në organizimin e një aktiviteti të përbashkët në javën e dytë të muajit nëntor, në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë. Aktivitet i cili do të jetë një mënyrë e mirë për të prezantuar dhe promovuar vlerat universitare intelektuale që universiteti ka në të gjitha trojet e veta, theksoi Rektori Dhori Kule. 

Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Doc. Dr. Vullnet Ameti shprehu  gatishmërinë e këtij institucioni për të bashkëpunuar me Universitetin e Tiranës në të gjitha drejtimet e përmendura nga Rektori i UT-së gjatë fjalës së tij. Gjithashtu ai theksoi se të gjitha fushat e studimit që kanë të dyja universitetet krijojnë mundësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm dhe organizimin e aktiviteteve të interesit të përbashkët. 

Në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, universiteti ynë, i kushton vëmendje të veçantë bashkëpunimit me universitetet shqiptare, duke mos harruar në asnjë rast ndihmesën që këto universitete i kanë ofruar USHT-së që nga themelimi e deri më sot, tha Ameti.

Në këtë takim u tha se do të intensifikohen më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit me Universitetin Shtetëror të Tetovës. Duke patur edhe mbështetjen e qeverisë shqiptare do të bashkëpunohet për të ndihmuar stafin akademik të Universitetit të Shtetëror të Tetovës në drejtim të kualifikimit të tyre të mëtejshëm.

Në fjalën e tij, Rektori Dhori Kule vuri në pah se dhe shkëmbimet e studentëve dhe stafit akademik do të jenë prioritet i bashkëpunimit institucional mes dy institucioneve. Do të fuqizohet bashkëpunimi për sa i takon kuotave të veçanta që i akordohen studentëve që vijnë nga trojet, aktivitetet e përbashkëta kërkimore-shkencore si dhe ndjekjen e studimeve në të dyja Universitetet. Në përfundim të fjalës së tij, Rektori i Universitetit të Tiranës e vuri theksin edhe te projektet e përbashkëta duke i kushtuar rëndësi bashkëpunimit me Universitetin Shtetëror të Tetovës. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button