BDI kundërpërgjigjet: Ne bëjmë punën, PDSH-së i mbeten llafet

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh indinjatë të thellë nga niveli i ulet i komunikimit publik të përfaqësuesve të Partisë Demokratike Shqiptare, komunikim i përcjellë me plot mllef, urrejtje dhe ofendime. Kështu shkruhet në kumtesën që e ka lëshuar kjo parti si kundërpërgjigje të akuzave të PDSH-së se lideri i BDI-së, Ahmeti gënjen.

“E vetmja periudhë kur proceset kombëtare kanë regjistruar ngecje në dekadën e fundit është periudha kur PDSH uzurpoi institucionet e vendit ma vullnetin e shqiptarëve, por me dëshirën që të bëhen kapaku i tenxheres së VMRO DPMNE. Po në këtë periudhë u abrogua Ligji për Flamurin Kombëtar dhe krahas premtimeve publike të PDSH-së, asnjëherë nuk miratuan ligj të ri. PO në këtë periudhë, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat u rrit vetëm për 1%. Po në këtë periudhë lindi Shkupi 2014, u instaluan viza për Shqipërinë, u vendos që mos të njihet pavarësia e Kosovës” theksojnë nga BDI.

Sipas kësaj partie, ofendimet e PDSH-së nuk do të mund ti amnistojnë të bërat antikombëtare të partisë e cila po feston 19 ose 14 vjetorin e saj dhe nuk ka shënuar asnjëherë fitore.

“Edhe pse populli shqiptar i ka dënuar vite me radhë, ato nuk mërziten se pse shqiptarët nuk i duan, ato mërziten vetëm për të gjetur ndonjë tenxhere maqedonase që ti bëhen kapak. Bashkimi Demokratik për Integrim, në bashkëpunim me të gjitha forcat progresive të shoqërisë civile dhe mediave, do të vazhdojë përpjekjet e sinqerta për të avancuar pozitën e shqiptarëve në Maqedoni drejt barabarësisë, por me sinqeritet dhe punë, e jo me gënjeshtra dhe mashtrime” thuhet në komunikatë duke theksuar se kjo parti ka vendosur që llafet t’ia lejë PDSH-së, ndërsa ne të bëjmë atë më të vështirën, punën. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button