Tetovë, kujdes me ushqimin, rritet numri i helmimeve

Temperaturat e larta risin për dhjetë herë më shumë numrin e pacientëve të infektuar në ambulancën e repartit të sëmundjeve infektive në Tetovë. Të sëmurët që paraqiten lëngojnë nga infeksioni i zorrëve dhe nga helmimi prej ushqimit. 

Kryeshefi i repartit të sëmundjeve infektive Halil Ismaili thotë se faji është i vetë qytetarëve që nuk kanë kujdes çfarë konsumojnë. 

“Infeksionet paraqiten nga moskujdesi që kanë qytetarët në konsumimin e ushqimit, ata shikojnë vetëm datën ndërsa nuk kanë kujdes se në çfarë temperatura ka qëndruar produkti teksa ka qenë në shitje” thotë më tej infektologu Ilsmaili.

“Duhet pasur shumë kujdes teksa konsumojmë mish të shpezëve dhe mish të bluar sepse është produkti që shkakton numrin më të madh të infeksioneve” përkujton Ismaili. 

Sëmundjet infektive janë sezonale, në këtë kohë të nxehtë janë më të theksuara infeksionet, dhe vjen deri tek paraqitja e sëmundjeve infektive dhe rritja e numrit të pacienteve në këto reparte. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button