Diskriminim i tmerrshëm i shqiptarëve në punësim

Partizimi dhe mbingarkimi i administratës publike mbesin probleme reale në vend. Në kushte kur kemi zvogëlim të punësimit në sektorin privat, administrate shtetërore shënon rritje të madhe të numrit të të punësuarve nga viti 2009 deri në vitin 2011, prej gjithsej 52.745, sipas të dhënave të dokumentit paraqasës në Bashkimin Evropian të përgatitur nga Qeveria.

Nga e gjithë kjo, shqiptarë janë ato që bartin pasojat sepse papunësia rritet në vendet ku banojnë ato.

“Po të analizohet viti 2009 me vitin 2011, do të shohim se ka zvogëlim prej 32.000 të punësuarve në sektorin privat, ndërsa në sektorin publik kemi rritje rapide të numrit të të punësuarve, edhe atë  nga 115.086 sa kanë qenë në vitin 2009, në 2010 arriti në 167.831, që nënkupton se për një vit ka rritje prej 52.745” – thotë Izet Zeqiri, deputet i Rilindjes Demokratike Kombëtare për Portalb.

“Në kushte kur në sektorin privat kemi zvogëlim të punësimit, në sektorin publik kemi rritje të punësimit. Këto janë të dhënat reale se pse qeveria e Republikës së Maqedonisë thotë se është rritur përqindja e punësimit nga 38.4 %, sa ka qenë në 2009, në 39,1% në 2010, dhe ulje të shkallës së papunësisë nga 32,2% në 31,2%” – tha Zeqiri.

Problem tjetër është përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në administratën shtetërore. Prej vitit 2003 deri në vitin 2011 papunësia te shqiptarët është ulur simbolikisht, nga 81.000 të papunë, në 79.000, përderisa te pala maqedonase kemi zvogëlim prej mbi 56.000 personave.

“Nëse referohemi në përkatësinë etnike të regjistrimit të popullsisë nga viti 2002, dhe shkallës së papunësisë nga viti 2003 deri në vitin 2011, do të shohim se më së shumti është zvogëluar papunësia te komuniteti maqedonas, edhe atë nga 20,2% në 15,8%, gjegjësisht nga gjithsej 261.666 maqedonas të papunë, numri është zvogëluar në 205.000. Te shqiptarët zvogëlimi është simbolik, nga 81.000 kemi zvogëlim në 79.000 ose nga 15,9% në 15,5%” – shpjegon Zeqiri.

Ai si fakt për punësim selektiv dhe diskriminim të popullatës shqiptare thekson edhe uljen e papunësisë në qytetet me shumicë maqedonase, dhe rritje të papunësisë në qytetet shqiptare.

“Po të analizohet në nivel qytetesh, shohim se qytetet me shumicë shqiptare shënojnë rritje të papunësisë, ndërsa ato maqedonase rënie të papunësisë. Për shembull, në Tetovë nga 2003 deri në 2011 është rritur papunësia për 785 persona të papunë, ndërsa në Strumicë, është ulur papunësia për 5.765. Në Strugë është rritur papunësia për 368, në Sveti Nikollë është zvogëluar papunësia për 1.363. Në Gostivar është rritur papunësia për 717 persona të papunë, kurse në Prilep është rritur punësimi për 5.062 të punësuar” – deklaroi Zeqiri.

Sipas tij, nuk kemi respektim të plotë dhe konsekuent të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të pjesëtarëve të shqiptarëve.

“Përfaqësimi i drejtë nuk respektohet as në organet shtetërore e as në ndërmarrjet publike ku nuk mund të flitet për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.

Përforcim i aktiviteteve për implementimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat nuk ekziston as edhe në vendet udhëheqëse në organet e nivelit qendror dhe lokal. Analiza në bazë të dhënave të Avokatit të Popullit tregojnë se punësimi i shqiptarëve në vitin 2011 në krahasim me 2010 është rritur vetëm për 0,3% dhe shumë më pak se maqedonasit” – tha Zeqiri.

Ai gjithashtu përmend fenomenin e administratorëve të cilët marrin rrogë por rrinë në shtëpi.

“Problemi tjetër, mos shpërndarja e të punësuarve në Sekretariatin e Marrëveshjes së Ohrit ku mbi 1000 të punësuar rrinë në shtëpi dhe nuk punojnë, por realizojnë te ardhura. Kjo është fuqia e këtij sekretariati” -tha Zeqiri.

Nga ana tjetër, lideri i BDI-së Ali Ahmeti dje deklaroi se vetëm në 2008-2011 janë  9000 administratorë  shqiptarë që janë angazhuar.

“Vetëm në 2008-2011 janë  9000 administratorë  shqiptarë që janë angazhuar dhe do tu kisha lutur që tu referoheni dokumenteve të pavarura, jo të BDI-së, por të autoriteteve si që është Avokati i Popullit dhe institucionet e pavarura të shoqërisë civile. Është e vërtetë që 25 për qind nuk kemi arrit, por te 20 për qindshi, 19 për qindshi po se po” – deklaroi Ahmeti, i cili pranoi se mbetet shumë punë për tu bërë në këtë plan. /Portalb/

 

Lajme të ngjashme

Back to top button