Vetëvendosje para protestës, u mobilizua në Gjilan (FOTO)
Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi tubimin e fundit mobilizues për protestën e 29 shtatorit. Përgjatë tubimit folën Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, anëtari i Kryesisë dhe deputeti i Lëvizjes Liburn Aliu, anëtari i Kryesisë Hydajet Hyseni, Kryetari i Qendrës në Gjilan Nevzad Isufi, asambleistja e kuvendit komunal në Gjilan Arbëresha Kryeziu dhe asambleistja Arjeta Rexhepi, përcjell Portalb.mk.
Në fillim të tubimit u shprehën ngushëllime për familjen Krasniqi për humbjen e të dashurit të tyre dhe veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare Skënder Krasniqi.
“Tubimi garantoi edhe njëherë natyrën paqësore dhe përmasën masive të protestës. 29 shtatori do të tregojë se nuk lejohet të trajtohet Kosova si një kompani private e cila mund të copëtohet copa-copa me konçesione dhe kompromise. Thaçi do të marrë një mësim të mirëfilltë sjelljeje se si disa gjëra janë të ndaluara të diskutohen dhe relativizohen në jetë, si përshembull ndarja e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Vetëvedosjes.
Deputeti Liburn Aliu kujtoi një ndër aksionet e para të kryera në Gjilan në 2005-n kundër decentralizimit për të treguar se si Thaçi po shantazhon sot me ndarjen pasi e ka shtruar rrugën drejt bosnjëzimit. “Ne i themi asnjërën! Me këtë njeri i kemi të garantuara edhe Bosnjen edhe ndarjen. Prandaj, duhet të demonstrojmë dhe duhet ta ndalim dhe ta rrëzojmë Hashim Thaçin”, tha Liburn Aliu.
Kryetari Kurti e shpjegoi idenë për korrigjimin e kufijve me figurën, “Duke i tundur kufijtë e Kosovës para Vuçiçit ai po e joshë Serbinë si një bishë të egërsuar për territorin tonë. Prandaj 29 shtatori është më i rëndësishëm se çfarëdo datë e zgjedhjeve lokale a parlamentare në Kosovën e pasluftës”.