26 deputetët e parë të Maqedonisë: Dilni në votim dhe rrethoni “për” në referendum (VIDEO)

“Ne besojmë se vendimi i vërtetë i 30-shtatorit është që të dilni në referendum dhe të votoni “për”. Ju ftojmë nga këtu, nga Maqedonia, të besoni edhe ju dhe bashkërisht me ne të dilni në votim dhe të rrethoni “për””, kështu i ftuan qytetarët e Maqedonisë që të votojnë “për” në referendumin e 30-shtatorit, 26 deputetët e përbërjes së parë të Parlamentit të Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.

Ata thanë se qytetarët me të drejtë mund të mos e respektojnë apo respektojnë LSDM-në, VMRO-DPMNE-në dhe BDI-në, por qëndrimet për atë duhet të tregohen në zgjedhje, pasi që me 30 shtator është referendum.

“Ju me të drejtë mund të LSDM-në dhe Zoran Zaevin ta respektoni ose jo, VMRO-DPMNE-në dhe Hristijan Mickoskin ta respektoni ose jo, BDI-në dhe Ali Ahmetin ta respektoni ose jo, ashtu edhe të gjithë partitë tjera dhe liderët, por Maqedoninë duhet ta doni. Qëndrimet e juaja për partitë politike dhe liderët tregoni në zgjedhje. Ky është referendum”, thanë ish deputetët.

Ndërkaq, ish deputeti nga radhët e VMRO-DPMNE-së, parti e cila është kundër marrëveshjes së Prespës, Mihaill Panovski, sqaroi se iu është bashkuar grupit “për” referendumin, pasi që vota “kundër”, “për” apo vendimi për bojkotim, është e drejtë e secilit individ.

“Lideri i partisë sonë, Hristijan Mickoski qartë tha se secili mund lirshëm të shpreh qëndrimin e tij për referendumin. Se a do të votojë dikush “për”, “kundër” apo do të bojkotojë, ajo është e drejtë e secilit individ të VMRO-DPMNE-së. Unë mund ta them vetëm qëndrimin tim. Unë jam i bindur që Maqedonia nuk do të fitojë asnjëherë më shumë se nga kjo marrëveshje”, tha Panovski, transmeton Portalb.mk.

Ndërkaq, deputeti Muhamed Halili tha se integrimi i plotëfuqishëm i Maqedonisë në NATO dhe BE, mundëson ekonomi të fuqishme.

“Ne kemi të drejtë kredibile që t’i ftojmë të gjithë qytetarët e Maqedonisë, që përkundër dallimeve që i kanë, të votojnë për një Maqedoni të prosperueshme, demokratike, me ekonomi të fuqishme, dhe kjo bëhet vetëm me kyçjen e Maqedonisë në BE dhe NATO”, tha Halili.

Vendimi për të bërë thirrje për të votuar “për” në referendum, siç thuhet në thirrjen e 26 deputetëve, bëhet në përputhshmëri me hapat që u ndërmorën në vitin 1991, kur ky grup parlamentar miratuan: deklaratën për pavarësi dhe sovranitet të Republikës së Maqedonisë, deklaratën për përcaktim të qartë për NATO dhe BE, për referendumin e 8-shtatorit të vitit 1991 dhe miratuan Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, ku siç u shprehën ata, nëopërmjet saj, “arritën që Maqedonia të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara”.

Përndryshe, më 10 shtator zyrtarisht filloi fushata për referendumin, bartës i të cilës është Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Në fushatën e Kuvendit janë kyçur 71 deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, me përjashtim të partisë opozitare të VMRO-DPMNE-së.

Referendumi do të mbahet më 30 shtator, ku qytetarët e Maqedonisë do të përgjigjen në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”.

Marrëveshjen me Greqinë në gjuhën shqipe mund ta lexoni: KËTU.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button