RDK: Shqiptarët po e pësojnë nga politika e BDI-së

RDK sot përmes një reagimi për shtyp sulmoi BDI-në se po bëhet instrument i politikës diskriminuese të VMRO-së. Në vazhdim u sjellim pjesë integruese nga reagimi i RDK-së.

“Fakti që nga 16 mjekë të punësuar në Spitalin e Qytetit të Shkupit “8 Shtatori” nuk ka asnjë shqiptar është vetëm një problem i vetëm. Fakti se shqiptarët po injorohen në konkursin e fundit të punësimit të 200 punonjësve shëndetësor, është një pjesë e problemit. Fakti që Ministri i shëndetësisë ka paralajmëruar se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk do të merret parasysh as në konkursin tjetër që do të realizohet së shpejti, për punësimin e 200 punonjësve të tjerë shëndetësor në shëndetësinë primare është një problem serioz. Fakti se kjo do të vazhdojë edhe më tej në të ardhmen – bazuar në ligjin e ri të shëndetësisë, të votuar nga VMRO dhe BDI, që nuk merr parasysh përfaqësimin e drejtë dhe adekuat – është thelbi i problemit që konfirmon edhe njëherë injorancën juridike ekstreme të partisë shqiptare në pushtet, BDI.  

Rilindja Demokratike Kombëtare edhe në të kaluarën ka tërhequr vërejtjen se ligjet që vet BDI i miraton bëhen pengesë për realimizim e të drejtave të shqiptarëve ose shërbejnë për të mashtruar shqiptarët për moszgjidhjen e problemeve të tyre, përmendim këtu edhe njëherë ligjin me të cilin zvogëlohen përmasat e flamurit shqiptar; të ashtuquajturën “Marrëveshje të Majit” që nuk e ka parë askush, për mashtrimin e ish-luftëtarëve; ligjin e BDI-së që ka shkaktuar kufizimin ekstrem të përdorimit të gjuhës shqipe; pamundësinë e ndryshimit të emrit të katër shkollave me procedurë të rregullt, nga ata që rrihnin gjoks edhe për emra shqiptarë në Strumicë; dhe së fundmi edhe ligjin e ri për shëndetësinë.

RDK shpreh keqardhjen që, në vend se deputetët e BDI-së të paktën t’i lexojnë ligjet që i miratojnë në kuvend dhe në vend që BDI të ngrejë në organet e qeverisjes problemet që i prekin shqiptarët, partia shqiptare në pushtet merret me mashtrimin e opinionit publik dhe shprehjen e mendjemadhësisë dhe arrogancës politike, përmes thurjes së frazave të thata, që tentojnë të bëjnë ngopjen e popullit shqiptar me lugën bosh.

Është e qartë se BDI po udhëheq procese të mëdha politike që jo çdo kush prej shqiptarëve mund t’i bëj, sepse të bëhesh instrument për realizimin e politikave diskriminuese të VMRO-së ndaj shqiptarëve dhe pasaportë e saj për shmangjen e kritikave ndërkombëtare, këtë me të vërtetë se nuk mund ta bëjë secili nga shqiptarët!” – thuhet në reagimin e RDK-së. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button