Noterët shqiptarë në Maqedoni me përqindje simbolike

Gjashtë  noterë kanë marrë vendimin për të kryer shërbime noterike, pesë nga të cilët janë shqiptarë. Noterët e sapo emëruar janë ish zv/ministri i punëve të brendshme Xhevat Buçi, Fatmir Ajruli, Zafir Haxhizafirov, Arif Neziri, Ajdin Mehmedi dhe Artan Limani.

Me vendimet e fundit që i ndau i ministri i drejtësisë Blerim Bexheti numri i noterëve shqiptarë u rrit në 24 përkundër 148 tjerëve që i përkasin etnitetit maqedonas dhe pesë të komuniteteve tjera.

Bexheti nuk deshi të tregojë përqindjen e noterëve shqiptarë, por nga numri duket qartë se nuk përmbush kriteret e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (MKO).

“Përqindja rritet, ka ende nevojë që të ketë rritje dhe me siguri se do të ketë rritje të duhur në të ardhmen “ tha Bexheti.

Ndryshimet në ligjin për notariat që dokumentet të jenë në gjuhën shqipe, sipas Bexhetit, janë në përpunim e sipër.

“Siç kemi thënë edhe më herët, por do të ritheksoj edhe një herë se edhe me ligjet ekzistuese noterët kanë të drejtë në shumicën e rasteve konform ligjeve që të përdorin gjuhën shqipe dhe apeloj që të njëjtën ta përdorin” tha Bexheti

Bexheti beson se me emërtimin e noterëve të rinj, do të përforcohen kapacitetet për tu përballuar me punën. 

Në Republikën e Maqedonisë në pajtim me rregulloren për numrin dhe përcaktimin e selive zyrtare të noterëve në Republikën e Maqedonisë, është caktuar numri i përgjithshëm i selive zyrtare të noterëve i cili është 219, që do të thotë ngelin edhe 42 vende të lira të noterëve./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button