Jeremiç: Përkrahim dialogun me shqiptarët

Në një intervistë për DW, Vuk Jeremiç kritikon qasjen e presidentit serb për çështjen e Kosovë, teksa flet për krijimin e lëvizjes opozitare, Aleanca për Serbinë, përcjell Top Channel.

I pyetur nëse mendon se qeveria aktuale dëshiron të pranojë Kosovën si shtet dhe me këtë t’i mundësojë Prishtinës anëtarësimin në OKB, Jeremiç përgjigjet: “Kjo nuk është më diçka që mund të fshihet. Marrëveshja qendrore që kërkojnë Vuçiç dhe Thaçi është që ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës marrëdhëniet të “normalizohen”, kështu që të dy palët do të obligohen që të mos pengojnë njëri-tjetri në skenën ndërkombëtare, para së gjithash kur bëhet fjalë për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare përfshirë aty edhe OKB”.

Më tej gjatë intervistës Jeremiç sqaron se Aleanca për Serbinë përkrah vazhdimin e dialogut me shqiptarët, sepse beson se vetëm përmes bisedimeve mund të arrihen zgjidhje të qëndrueshme për të gjitha çështjet e hapura.

“Ekziston një numër i madh i gjërave që janë shumë të rëndësishme dhe që në Bruksel deri tani nuk janë aspak të prekura. Për shembull, çështja e uzurpimit të pasurisë – private dhe asaj shtetërore – si dhe garantimi i mbrojtjes së popullatës serbe duke përfshirë dhe trashëgimitë kulturore. Nuk mund të bisedohet për statusin derisa këto gjëra nuk realizohen në mënyrë adekuate”, u shpreh Jeremiç.

Lidhur me debatin për ndryshim kufijsh, ish-ministri i jashtëm shprehet se edhe Perëndimi është kundër këtij varianti, pasi do të krijonte një precedent të rrezikshëm, jo vetëm në rajon.

“Ndryshimi i kufijve në bazë të një parimi etnik, i cili në fakt është thelbi i marrëveshjes Vuçiç-Thaçi, është një precedent. Është e sigurt se në të ardhmen ky precedent do të kërkohet edhe nga vende tjera jo vetëm në rajon, por edhe në një pjesë tjetër të botës”, theksoi ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button