Kryeshefi Koteski për vizitë në Kosovë

Një delegacion i ARM-së i kryesuar nga kryeshefi i Shtatmadhorisë, gjeneral-major Goranço Koteski, sot qëndron për vizitë pune në forcat e sigurisë të Republikës së Kosovës. Nikoqir i delegacionit në Prishtinë është komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) gjeneral – nënkolonel Kadri Kastrati.

Shefi i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneral-kolonel Kadri Kastrati, në një konferencë për media e ka vlerësuar lart bashkëpunimin dhe ndihmën që Maqedonia i ka dhënë FSK-së, duke e ofruar poligonin e saj në Krivollak për trajnim të pjesëtarëve të FSK-së.

“Ky është edhe një tregues shumë i qartë se Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Maqedonisë, kemi një bashkëpunim të shkëlqyer. Ju e dini që veç vitin e dytë ne bashkë, Forca e Sigurisë së Kosovës me njësitet e saj zbarkojnë në Qendrën e Trajnimeve në Krivollak dhe ky është një tregues i madh që Forcat e Armatosura të Republikës së Maqedonisë janë duke dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh shumë të rëndësishëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës”.

Ai e ka falënderuar kryeshefin e Maqedonisë edhe për mbështetjet e tjera që ky shtet i ka dhënë FSK-së.

Kurse Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Maqedonisë, gjeneralmajor Goranço Koteski, është shprehur i kënaqur me vizitën e tij në Kosovë dhe ka shprehur gatishmërinë që përvojat që forcat e tij i kanë në misione paqeruajtëse t’i bartë edhe te Forca e Sigurisë së Kosovës.
“Në vizitën e sotme kemi biseduar me gjeneralin për zhvillimet dhe bashkëpunimin bilateral, po ashtu kemi biseduar për shkëmbimin e përvojave në edukim dhe trajnim. Ne jemi të gatshëm t’ju ofrojmë përvojat tona që i kemi në misionet paqeruajtëse, po ashtu e kemi ofruar poligonin tonë në Krivollak për përdorimin nga Forca e Sigurisë së Kosovës në trajnime. Ne do të vazhdojmë me bashkëpunimin bilateral”, u shpreh Koteski. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button