Vuçiq në Kosovë: Liqeni i Ujmanit, jetik për serbët dhe shqiptarët

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka nisur edhe zyrtarisht vizitën dyditore në veri të Kosovës. Pas orës 14:00, Vuçiq, i shoqëruar edh nga Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka hyrë në Kosovë përmes pikës kufitare në Bërnjak që ndodhet në komunën veriore të Zubin Potokut. Aty ai është pritur nga përfaqësuesit politik të serbëve nga komunat veriore të cilët po e shoqërojnë gjatë vizitës, shkruan REL.

Eskorta e Vuçiqit po sigurohet nga Policia e Kosovës.

Pas qëndrimit te Qendra Ekologjike Sportive në Zubin Potok, ndalesa kryesore e Vuçiqit ishte te Liqeni i Ujmanit apo siç njihet ndryshe edhe si Liqeni i Gazivodës.

Aty Vuçiq tha se Ujmani është një liqe shumë me rëndësi si për serbët ashtu edhe për shqiptarët. Andaj, sipas tij, është me rëndësi që të gjendet zgjidhje e pranueshme për të dy palët.

“Mendoj se në Gazivodë (Ujman) shihet më së miri pesha e problemit me të cilin ballafaqohemi”, tha Vuçiq.

Ai tha se ka ardhur në Kosovë me idenë që të ruhet paqja, stabiliteti dhe t’i vazhdojë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje për problemet shekullore ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Vizita e Vuçiqit ishte vënë në pikëpyetje për faktin se autoritetet e Kosovës, fillimisht i kishin lejuar atij vizitën në pjesën veriore, por jo edhe realizimin e agjendës për vizitë te Liqeni i Ujmanit (Gazivodës).

Mirëpo, siç kanë deklaruar zyrtarët në Qeverinë e Kosovës, vizita te Liqeni i Ujmanit ishte lejuar pas trysnisë së Bashkimit Evropian, ngase të premten, Vuçiq në shenjë proteste, kishte refuzuar ta takonte presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në kuadër të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Liqeni i Ujmanit, nga Serbia dhe presidenti Vuçiq po cilësohen si burim dhe pasuri ekonomike serbe, çka kundërshtohet ashpër nga autoritetet në Prishtinë.

ëTë premten gjatë një adresimi opinionit në Serbi, Vuçiq tha se në përputhje me kërkesën e tij drejtuar EULEX-it, KFOR-it dhe autoriteteve të Prishtinës, ai do të shkojë në Kosovë dhe do ta fillojë vizitën pikërisht nga Ujmani (Gazivoda).

“Pres që gjithçka të kalojë mirë dhe pres që atje, në mënyrën më normale t’iu drejtohem njerëzve dhe t’u tregoj njerëzve se sa është i rëndësishëm Liqeni i Ujmanit, jo vetëm për serbët në veri dhe në jug, por edhe për shqiptarët në Kosovë, si dhe sa është e rëndësishme që të investojmë shumë më tepër para”, tha Vuçiq.

Vizitën e tij, Vuçiq ka paralajmëruar se do ta vazhdojë gjatë ditës së shtunë në Zveçan, ndërkaq ditën e diel ai do të mbajë tubimin në Mitrovicë të Veriut. Ai tha se do të vjen në Kosovë me plane ekonomike konkrete, por edhe për t’ua thënë të vërtetën serbëve të Kosovës.

“Të dielën në orën 12 është tubimi në Mitrovicë, në të cilin unë i ftoj të gjithë njerëzit, të cilët dëshirojnë të dëgjojnë edhe atë që ndoshta nuk do t’iu pëlqejë në tërësi, por do ta dëgjojnë të vërtetën”, Vuçiq.

Sipas tij, në disa ditët e fundit, situata ka qenë mjaft e tensionuar ndërmjet Prishtinës zyrtare dhe Beogradit zyrtar. Ai ka theksuar se gjatë kohës që do ta vizitojë Kosovën, pret që pala tjetër të japë porosi të arsyeshme, ndërkohë që edhe ai do të përpiqet që krejt çka do të flasë, të pranohet mirë me qëllim të ruajtjes së paqes, stabilitetit dhe përparimit në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

“Për sa u përket shqiptarëve, Serbia dëshiron paqe, stabilitet, bashkëpunim dhe shpresoj që në vitet e ardhshme do të mund të vendosim edhe miqësinë me ta. Shpresoj, sepse gjithçka tjetër do të ishte katastrofale për të dy popujt”, theksoi Vuçiq.

Ai ka shprehur besimin që vizita e tij në Kosovë, do të kalojë pa probleme, sepse, siç ka thënë ai, nuk është as në interesin e shqiptarëve që të provojnë të bëjnë diçka të ngjashme që kanë bërë me shefin e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq. Ky i fundit, në mars të këtij viti, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, sepse kishte hyrë në territorin e Kosovës, siç ishte thënë, pa lejen e autoriteteve vendore dhe në mënyrë jolegale. Vuçiq ka shprehur bindjen se një gjë e tillë më nuk mund të ndodhë.

Mitrovica Veriore, një prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, tashmë është gati për të pritur presidentin serb. Rrugët dhe sheshet e atjeshme, janë përplot flamuj serb, fotografi të presidentit Vuçiq si dhe pankarta që i shprehin mirëseardhje atij.

Pjesa veriore e Kosovës e banuar nga shumica serbe, vazhdon të mbetet e ndikuar nga Beogradi, përkundër përpjekjeve disavjeçare të autoriteteve të Kosovës për integrimin e kësaj pjese.

Kjo vizitë e presidentit serb, po realizohet në kohën kur nga tavolina e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel janë lansuar ide për ndryshimin e kufijve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button