“Vazhdojnë vështirësitë në procesin e dialogut Beograd-Prishtinë”

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini, tha se vazhdojnë vështirësitë në procesin e dialogut Beograd-Prishtinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mogherini zhvilloi takime ndaras me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe me atë serb Aleksandar Vuçiç, të cilët gjendeshin në Bruksel për të marrë pjesë në procesin e dialogut Beograd-Prishtinë.

“Vazhdojnë vështirësitë. Besoj në angazhimin e plotë të të dy presidentëve për të vazhduar procesin dhe për të arritur në muajt e ardhshëm në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve, në përputhje me ligjin ndërkombëtar” tha Mogherini në një deklaratë me shkrim.

Ajo shtoi se para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), sërish do të takohet me Thaçin dhe Vuçiçin në Bruksel.

Ndërkohë, Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën që funksionon brenda qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriç, në një deklaratë të mëparshme, kishte theksuar se Vuçiç ka anuluar takimin me Thaçin dhe kishte pohuar se nuk ka kushte për zhvillimin e dialogut me Prishtinën.

Ndërsa Vuçiç, më parë kishte urdhëruar ushtrinë, pastaj i kërkoi policisë dhe Agjencisë së Informacionit dhe Sigurisë (BIA), që të ndërprejnë tërë komunikimin me policinë e Kosovës, KFOR-in dhe çdo përfaqësues shqiptar dhe ndërkombëtarë që vepron në territorin e Kosovës

Siç mësoi Radio Televizioni i Serbisë, Vuçiç këtë e urdhëroi për shkak të informatave se Prishtina nuk e lejon atë gjatë vizitës së tij në Kosovë, të planifikuar më 8 dhe 9 shtator të vizitojë Ujmanin, për shkak të cilës vizita e tij në Kosovë është vënë në pikëpyetje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button