Masakra në Pukë, lihen në burg dy kushërinjtë Përmarkaj

Gjykata e Shkallës së Parë në Pukë vendosi një ditë më parë masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj kushërinjve Fran dhe Bardhok Përmarkaj, të cilët akuzohen si bashkautorë në tragjedinë e ndodhur të premten në fshatin Mardhnac të këtij rrethi. Pas paraqitjes së provave materiale nga prokuroria, togat e zeza të Pukës kanë vendosur lënien në burg pa afat të dy kushërinjve. 

Ngjarja e ndodhur në Mardhnac ka ngritur në këmbë policinë. Forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës dhe ato të FNSH-së po punojnë intensivisht për vënien në pranga të autorëve të tjerë të masakrës. 

Ndërkohë, hetues të çështjes bëjnë me dije se blerja e një copë toke 6 vite më parë nga familja Markaj, vetëm pak metra larg shtëpisë së familjes Përmakaj është pikënisja e konfliktit që shënoi dy të vdekur dhe tre të plagosur. 

Mësohet se bagëtitë e familjes Përmakaj kanë kullotur në tokën që familja Markaj kishte blerë. Të zotët e tokës nuk kanë dashur që të lejonin bagëtitë të hynin në tokën e tyre. Ndërkaq, njëri nga autorët e vrasjes, Seferin (Fran) Përmakaj ka rrëfyer në Policinë e Shkodrës mbi konfliktin mes dy familjeve. 

“Unë kam qëlluar dhe kam vrarë Paulinin. Nuk e di se kush ka qëlluar mbi Hilë Markajn. Ata na e kanë ba për borxh. Na kanë koritë dy herë në sy të njerëzve. Nuk mund të vazhdonim të jetonim të koritun”, – ka thënë 33-vjeçari. Ai ka pohuar se para një muaji, pjesëtarë të dy fiseve janë rrahur në qendër të Pukës dhe se të dyja palët kanë përfunduar në polici. Ndërsa, pak ditë më parë meshkujt e dy fiseve janë përleshur në Kamëz dhe sërish kanë përfunduar në polici. 

Në të dyja rastet, familja Përmakaj e ka konsideruar veten të fyer dhe të koritur, ndaj kanë vendosur që të hakmerren. Policia ka mundur të arrestojë dy prej autorëve të krimit, ndërsa ka shpallur në kërkim dy vëllezërit Sokol e Anton Përmakaj. Sipas policisë, dy personat në fjalë kanë qenë të dënuar më parë për vrasje, njëri në Tiranë dhe tjetri në Greqi. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button