Turqia me ekonomi në rritje

Tashmë, është afirmuar si fuqia e shtatë e Europës, ndërkohë që produkti i brendshëm bruto i vendit për tremujorin e parë të vitit 2012 është realizuar në afërsisht 182 miliardë e 500 milionë dollarë, duke u rritur me 14,2%.
 
Instituti i Statistikave të Turqisë publikoi përfundimet e tremujorit të parë të vitit 2012 për Produktin e Brendshëm Bruto, të llogaritur me metodën e prodhimit.
 
Norma e rritjes ekonomike për periudhën janar-mars 2012 është 3,2%, kurse produkti i brendshëm bruto u rrit me 14,2% dhe u realizua në shifrën 329 miliardë e 20 milionë lira turke.
 
Kështu procesi i rritjes së pandërprerë të ekonomisë turke, që ka filluar në çerekun e fundit të vitit 2009, ka vazhduar edhe në tremujorin e parë të 2012-s, duke lënë prapa 10 tremujorë.
 
Sipas Deutsche Welle, Turqia ka shënuar një rritje të madhe ekonomike në dhjetë vitet e fundit. Por, megjithatë, shumë ekspertë dyshojnë në qëndrueshmërinë e ekonomisë turke dhe kërkojnë ndryshime.
 
Megjithë parashikimet e zymta në Evropë, ekonomia turke po vazhdon të shënojë rritje shumë të shpejtë. Në këtë mënyrë ajo po shndërrohet në një vend shumë interesant edhe për investorët e huaj. Turqia ka shënuar në vitin 2011 një rritje ekonomike prej gati 7,5 %, ndërsa qeveria në Ankara shpreson se rritja gjatë këtij viti do të jetë katër për qind. Eksportet dhe importet turke po rriten, që është edhe një sinjal tjetër për rritjen e fuqisë ekonomike të Turqisë. Ndërkohë ajo ka arritur vendin e 7 në Evropë dhe zë vendin e 15 në botë.

Njëkohësisht, Turqia është një prej vendeve me borxhet më të ulëta në Evropë, pas Suedisë dhe Çekisë. Borxhet e saj kapin shifrën prej 42 % të prodhimit të përgjithshëm bruto.

Lajme të ngjashme

Back to top button