Haradinaj: Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në margjina të Forumit të Dubrovnikut, që po i zhvillon punimet në Dubrovnik të Kroacisë, sot ka pasur një takim bilateral me Komisionerin e BE-së për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, Neven Mimica.

Fillimisht, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar Komisionerin Mimica për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, për Agjendën e Reformave Evropiane, etapën e parë të së cilës Kosova e ka implementuar me sukses, duke kaluar në ERA 2, si dhe për zhvillimin ekonomik, fuqizimin e rendit dhe të ligjit, përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA dhe fusha tjera me rëndësi vitale për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, transmeton Telegrafi.

Sipas një njoftimi, kryeministri Haradinaj ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke punuar me përkushtim në përmirësimin e klimës së të bërit biznes, hartimin e legjislacionit i cili lehtëson kushtet për investitorët potencialë, duke krijuar zona të lira ekonomike në gjithë territorin e vendit.

“Kryeministri Haradinaj tha se institucionet e Kosovës kanë përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, duke përshëndetur dhe vlerësuar vendimin e fundit të Komitetit LIBE për votimin pro lëvizjes pa viza për qytetarët e Kosovës”.

“Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj ka vlerësuar se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe arritja e një marrëveshje finale, ligjërisht obliguese si dhe njohja reciproke ndërmjet dy vendeve, do t’i kontribuonte stabilitetit rajonal dhe do t’i hapte perspektivë të dyja vendeve në rrugën e integrimeve evropiane”.

“Ndërkaq, Komisioneri i BE-së për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, Neven Mimica, gjatë takimit me kryeministrin Haradinaj, ka vlerësuar përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave nga institucionet e Kosovës, duke vënë në pah perspektivën evropiane të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button