Ministrat evropian: Kujdes me shkëmbimin e territoreve

Eurokomisioneri për Zgjerim, Johanes Han, ka thënë sot se çfarëdo zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkohë sa i përket progresit për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se është shumë herët të flitet për detajet.

Këtë deklaratë Han e ka bërë përpara takimin joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së në Vjenë të Austrisë.

“Marrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet të arrihet nga liderët e të dyja vendeve. Progres është bërë, por është shumë herët të diskutohet për detajet. Por është e qartë që çfarëdo marrëveshje që arrihet duhet ti kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Han para gazetarëve, raporton Express.

Ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës Timo Soini thekson se çështja për shkëmbim të mundshëm territoresh mes Serbisë dhe Kosovës mund të jetë e rrezikshme nëse nuk analizohet mirë.

Madje, shefi i diplomacisë gjermane Hajko Mas, i cili do të merr pjesë në takimin joformal të Këshillit të BE-së në Vjenë, deklaroi se është shumë skeptik kur bëhet fjalë për shkëmbim të territoreve.

“Konsiderojmë se ajo mund të hap plagë të vjetra tek populli dhe prandaj jami shumë skeptik”, thekson Mas.

Ndryshe, Thaçi dhe Vuçiq si ide për zgjidhjen e çështjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë prezantuar shkëmbimin e kufijve ndërmjet dy vendeve, gjë që është parë si jashtëzakonisht e rrezikshme për rindezjen e konflikteve në Ballkan.

Ndërkohë, ka dy ditë që edhe Thaçi edhe Vuçiq po e shmangin përmendjen e kësaj ideje. Gjatë një bisede të djeshme me ndihmëssekretarin amerikan Ves Miçel, asnjëri nga dy presidentët nuk e kishin përmendur shkëmbimin e territoreve si ide.

Opozita kosovare e ka kundërshtuar ashpër këtë ide, dhe pritet të organizojë edhe protesta më 7 shtator, ditë kjo kur Thaçi do të udhëtojë për takimin e radhës me Vuçiqin në Bruksel, e ku pritet të prezantohet dhe marrëveshja ndërmjet dy vendeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button