Topi: Integriteti dhe sovraniteti i Kosovës i paprekshëm

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, para Kuvendit kosovar theksoi se Shqipëria mbështet integritetin, sovranitetin dhe aspiratat e Kosovës për të qenë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ndërsa sipas tij, zhvillimi dhe përparimet e bëra në Kosovë i kanë hequr tashmë paragjykimet që ishin më herët.

Kuvendi i Kosovës ka organizuar një seancë solemne për nder të presidentit shqiptarë, Bamir Topi, i cili me këtë rast i është drejtuar deputetëve të Republikës së Kosovës.

“Ju jeni shembulli më i mirë për t’i dëshmuar botës demokratike se si një vend i vogël por me forcë të madhe morale ia arriti që brenda vetëm një dekade të ndahet nga dhimbjet e të kaluarës dhe ta transformojë zonën e luftës dhe gjenocidit serb në një shoqëri të paqes, harmonisë, demokracisë dhe vlerave evropiane. Kosova është shembull i forcës për ndryshim, i fitores së të mirës ndaj të keqes, i vendosjes së drejtësisë historike”, ka deklaruar Topi.

Duke iu referuar zhvillimeve në rajon, Topi tha se e mbështet dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit duke e kuptuar atë si një dialog ndërmjet dy shteteve të barabarta që respekton plotësisht integritetin dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës.

“Ne mbështesim vullnetin e palëkundur të Kosovës për dialog të barabartë dhe intensiv me të gjitha vendet fqinje, përfshi edhe Serbinë duke e vlerësuar atë si investim pozitiv dhe në interes të vendeve e popujve të përfshira në këtë proces. Shqipëria vlerëson se integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës janë të paprekshëm. Në vijimësi mbështesim përpjekjet e juaja për shtrirjen e plotë të autoritetit zyrtar në çdo pjesë të territorit të Kosovës”, ka thënë Topi.

Ndërkaq, kryetari Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës ka nderin dhe kënaqësinë e veçantë ta ketë në këtë seancë solemne Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi.

Para se t’i drejtohej deputetëve të Kuvendit të Kosovës, presidenti Topi është takuar me presidenten e vendit, Atifete Jahjaga.

Në këtë takim u vlerësua se Kosova dhe Shqipëria janë faktorë paqeje e stabiliteti në rajon dhe kanë agjendën e përbashkët, integrimet euro-atlantike. Ai tha se Kosova shtet i pavarur e sovran, i ka hequr tashmë paragjykimet që ishin më herët për të.

“Kosova ka shënuar përparime të dukshme dhe është faktor i paqes e stabilitetit në rajon”, është shprehur Topi.

Ai është pritur me nderime të larta shtetërore nga presidentja Jahjaga, me ceremonitë më të larta shtetërore. /Telegrafi/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button