Statusi i harruar i veteranëve të UÇK-së?!

Statusi i veteranëve të ish-UÇK-së dhe i familjarëve të dëshmorëve të luftës së vitit 2001 edhe më tej mbetet pezull për shkak të mosmarrëveshjeve mes dy partive që përbëjnë koalicionin qeveritar se në çfarë mënyre do të zgjidhej ai.  Disa herë u premtua por asnjëherë nuk u zgjidh kjo çështje shumë e ndjeshme për shqiptarët, e sidomos për familjet që humbën pjesëtarët apo ata u kthyen invalidë pas përfundimit të luftës.

Statusi i veteranëve të ish-UÇK-së dhe i familjarëve të dëshmorëve të luftës së vitit 2001 gjithmonë është parë dhe shihet me dioptri të ndryshme nga partitë shqiptare dhe ato maqedonase, ndërsa perceptimi për UÇK-në, nga këta të dytët akoma ngelet negativ, gjë që nguron ata të zgjidhin këtë çështje për shkak të frikës se do tu sillte zvogëlim të përkrahjes.

Për statusin e veteranëve të UÇK-së, është folur shumë, thotë  kryetari i Organizatës së veteranëve të luftës së ish UÇK-së Besim Hoda, më shpesh sigurisht në fushata elektorale, thotë ai.

Deri tani asgjë konkrete nuk është bërë në këtë drejtim. Ka pasur disa ultimatume politike, ose blofe politike ashtu siç dinë të bëjnë subjektet politike, të ndihmuara edhe nga shoqata të caktuara të formuara vetëm për të manipuluar me popullin dhe për të përfituar nga gjaku i dëshmorëve dhe vlera e UÇK-së mirëpo konkretisht nuk kemi asgjë të re në drejtim të zgjedhjes së kësaj çështje të ndjeshme, thotë për Portalb Hoda.

“Mbi të gjitha është sekondare ajo se duhet të nderohen  familjet e dëshmorëve, të nderohen vepra e dëshmorëve, mirëpo gjithnjë për ne pjesëtarët e UÇK-së,  por sigurisht edhe familjet e dëshmorëve por mbi të gjitha vlera e gjakut të dëshmorëve, në fillim do të ishte zgjidhja e çështjes së shqiptarëve në Maqedoni, konkretisht të zgjidhet problemi për të cilin filloi edhe lufta, për të cilën dhanë jetën dëshmorët dhe dhanë pjesët e trupit të tyre invalidët e luftës dhe gjithë ushtarët e UÇK-së të cilët kapën armët dhe vunë jetën e tyre në rrezik për ty sakrifikuar” thotë Hoda.

Ish pjesëtarët e UÇK ndjehen  thellë të ofenduar nga veprimet që po bëjnë subjektet politike, thotë Hoda që shohin vetëm interesta e tyre të ngushta. Në vitin 2006-të u nënshkrua Memorandum mes OVL UÇK-së me të gjitha subjektet politike shqiptare, ata kanë garantuar, premtuar dhe kanë nënshkruar se do ta zgjidhin këtë problem pa marrë parasysh se kush do të fitojë  dhe askush nga ta nuk e ka mbajtur fjalën, thotë Hoda.

“Më pas PDSH-ja hyri në pushtet dhe thanë që do ta zgjedhin statusin e veteranëve për 60 ditë apo 2 muaj dhe nuk bënë asgjë, ndërsa BDI flet plot dhjetë vite se do ta zgjedh këtë problem dhe nuk bën asgjë, megjithatë BDI ka obligim moral, si edhe gjithë të tjerët por ata pretendojnë se e kanë zgjedhur çështjen shqiptare, mirëpo nuk ka asgjë në këtë drejtim. Me zotin Ali Ahmeti kemi biseduar deri para tre vjetësh , mirëpo ata gjithmonë shprehen se kjo çështje do të zgjidhet se është edhe prioritet edhe i yni, por me sa shoh unë ata kanë prioritete tjera, tenderët dhe bizneset personale, dhe jo zgjedhja e kësaj çështjeje shumë të ndjeshme”.

Kohë më parë edhe kryetari i Shoqatës së veteranëve të luftës Fazli Veliu ka dhënë tre ultimatume drejtuar qeverisë ku bën pjesë edhe partia e tij që të zgjidh statusin e siç u shpreh ‘statusi i pazgjidhur i sakrificës së vitit 2001 për shqiptarët konform normave vendore të barabarësisë për t’i fituar të drejtat’. Veliu në një intervistë në tv Alsat m,  propozoi që deri sa të zgjidhet ky status ministrat dhe funksionarët tjerë shqiptarë të ndajnë një pjesë nga të ardhurat e tyre për të ndihmuar ish pjesëtarët e UÇK-së dhe familjet e tyre.

“Do ti detyrojmë ata që të participojnë ose të ndajnë nga mjetet e tyre të rrogave të tyre të kushteve të tyre, qoftë edhe të kushteve që i kanë ata të tepërta që t’i ndajnë për familjet e dëshmorëve edhe për invalidët e luftës”, kishte deklaruar Fazli Veliu, kryetar i SHVL-së së UÇK-së.

Veliu tha se nëse ndërkohë se nëse nuk zgjidhet çështja e ish pjesëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre, atëherë do të unifikoheshin të gjitha shoqatat e dala nga lufta nga Maqedonia, Presheva, Kosova dhe Shqipërisë, dhe do të krijojnë fondin e tyre, me të cilin do të ju ndihmonin veteraneëve dhe familjeve të dëshmorëve.

Numri i përgjithshëm i dëshmorëve dhe invalidëve të luftës është rreth 200, dhe si i tillë nuk paraqet ndonjë ngarkesë të madhe financiare por është vullneti politik  më shumë se sa ai që nuk e lejon të zgjidhet.

Menjëherë pas krijimit të qeverisë në qershor të vitit të kaluar funksionarë të BDI-së paralajmëruan se përveç Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Parlament, Ligjin për flamurin si dhe mbylljen e rasteve të Hagës, në afat prej 100 ditësh të Qeverisë së re, do të zgjidhet edhe statusi i ushtarëve të UÇK-së, gjegjësisht familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, si pjesë e marrëveshjes së arritur për koalicion të përbashkët./PORTALB/

Lajme të ngjashme

Back to top button