Hoti: Pazari i Thaçit me territorin e Kosovës duhet të ndërpritet

Shefi i grupit të deputetëve të LDK-së, Abdullah Hoti e porositi presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi se “nuk ka mandat të bëjë pazar me territorin e Kosovës” dhe se “secili që hyn në lojëra të tilla do të bartë pasoja kushtetuese dhe politike”, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Hoti në profilin e tij në Fejsbuk shkroi se presidenti i Kosovës nuk ka mandat ksuhtetues të negociojë për çfarëdo lloj korrigjimi të kufijve, përkatësisht për këmbim të territoreve.

“Kosova është një dhe e pandashme. Territori i Kosovës nuk mund të nxirret në pazar. Presidenti Thaçi duhet të ndalet. Presidenti Thaçi nuk ka mandat kushtetues për veprime të tilla.  Negociatat për territorin e Kosovës janë kundër kushtetuese dhe kushdo që hynë në lojëra të tilla do të bartë pasojat kushtetuese dhe politike. Ne të bashkërendojmë veprimet në Kuvend për të penguar vënien në pikëpyetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës nga Presidenti i vendit”, shkroi Hoti.

Sipas LDK-së, kjo parti do të refuzojë çdo marrëveshje që bëhet pa mandat të Kuvendit dhe pa pajtueshmëri të gjerë të forcave relevante politike dhe të qytetarëve.

Reagimi i shefit të grupit të deputetëve të LDK-së pasoi pas insistimit të sërishëm të Thaçit për, siç e quan ai, “korrigjim të kufijve” me Serbinë, përkatësisht për bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën, për çka u angazhua edhe në forumin politik në qytetin austriak Alpbah. Presidenti i Kosovës në këtë qëllim të tij për ndryshim të kufijve në mënyrë indirekte mbështetet edhe nga kolegu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, i cili këtë proces e quan “rikufizim me Kosovën” dhe thotë se është “më mirë Serbia të fitojë diçka se sa asgjë”.

Thaçi, të cilit opozita në Kosovë ia konteston mandatin për negociata me Serbinë sepse nuk ka pajtim formal nga Kuvendi i i Kosovës, sipas paralajmërimeve nga Prishtina, Beogradi dhe Brukseli, do të takohet me Vuçiqin në kryeqendrën e BE-së më 7 shtator, me qëllim që ta fillojnë fazën përfundimtare të negociatave për arritje të marrëveshjes për stabilizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button