Vrasja e pesëfishtë, gjykimi mund edhe të mos fillojë deri në vjeshtë

Nesër do të dihet nëse gjykata hetuese zgjat edhe për tridhjetë ditë afatin e paraburgimit për të arrestuarit që akuzohen për vrasje dhe ndihmë në vrasje, ndaj pesë personave në liqenin e Smillkovcit dy muaj më parë.

Edhe pse vrasja makabre shkaktoi revoltë tek të gjithë qytetarët dhe ndikoi në përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike, akoma nuk ka asnjë shenjë se kur mund të ndodh nisja e gjykimit për të cilin ekziston interesim i madh te qytetarët.

Nëse Prokuroria vendos që të arrestuarit të ngelin në paraburgim për gjashtë muaj të tërë, aq sa është maksimum, gjykimi mund të ndodh në vjeshtë, periudhë e vitit kur vendi merr gjykimin se a ka përparuar drejt euro-integrimeve, respektivisht publikohet raporti i progresit për Maqedoninë nga Komisioni Evropian.

Avokati në detyrë Naser Raufi këmbëngul se prokuroria nuk ka fakte kundër të akuzuarve andaj sips tij zvarritet nisja e procesit gjyqësor. 

“Paraburgimi është deri më 30 qershor, dhe mund të vazhdohet nga 30 ditë gjatë katër muajve të ardhshëm por pasi që i bie fundjavë, gjykata vendimin për shtyrjen eventuale të paraburgimit duhet ta sjell nesër. Maksimum në afat prej gjashtë muajve në tërësi duhet të ketë aktakuzë, nëse nuk sigurojnë dëshmi deri atëherë, në të kundërtën të arrestuarit duhet të lirohen, ndërsa deri tani prokuroria nuk ka prezantuar kurrfarë faktesh” thotë për Portalb Raufi.

Ai dyshon se prokuroria, përveç ekzaminimeve që i ka bërë automjetit, nuk posedon dëshmi të forta që do të dëshmonin se të klientët e tij janë autorë të vrasjes, andaj thotë ai, ajo pret që ndërkohë të ndodh diçka, apo të arrestohen edhe dy të arratisurit.

Nga 20 të arrestuarit në aksionin policor Monstra, 13 u liruan pa aktakuzë, edhe pse të gjithë u kapën nga policia me preteks se janë pjesë e një grupi të rrezikshëm radikal islamistë, që kanë për qëllim frikësimin e qytetarëve të Maqedonisë.

Javën e kaluar me gjashtë vjet u dënua i arrestuari Ibrahim Sejdini, për prodhim, trafikim dhe armëmbajtje pa leje, por që nuk kishte të bënte me vrasjen e pesëfishtë. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button