BE, Malazezët më punëtor se Maqedonia!

Nga lidere e Ballkanit në rrugën drejtë euro-integrimeve Maqedonia gradualisht shndërrohet në barrë për Bashkimin Evropian (BE) duke e e zvarritur procesin deri në kufij të frustracinot. Statusin kandidat e mban që nga viti 2005 ndërkaq në këtë “derexhe” do të mbetet  edhe gjatë kohë  për shkak të mungesës së vullnetit politik për të ndërmarrë hapa dhe punë konkrete vlerësojnë njohësit e çështjeve të politikës së jashtme. Maqedonia ngec derisa Kroacia do të bëhet anëtare vitin e ardhshëm kurse shefat e diplomacive të shteteve të BE-së dje vendosën që Mali i Zi të fillojë negociatat me Komisionin Evropian (KE) më 29 qershor. 

“Ka më shumë arsye përse Mali i Zi shkon përpara, e Maqedonia jo, por më të rëndësishme janë tri si vijojnë: Në Mal të Zi ka vullnet politik, ndërsa tek ne mbisundon eurofobi, Mali i Zi ka kapacitet reformues, e ne aktrojmë administratë, e në thelb e “mbështesim” VMRO-DPMNE-në, gjegjësisht nga partia kemi bërë shtet, dhe e fundit Mali i Zi është në raporte të shkëlqyeshme me të gjithë fqinjët e tij, ndërsa ne kemi probleme me të gjithë fqinjët tanë, do të thotë nuk është vetëm Greqia në pyetje” vlerëson Lidija Dimova nga Qendra Maqedonase për Arsimim Evropian.

Reformat plotësohen në mënyrë sipërfaqësore, kontesti me Greqinë, marrëdhëniet e këqija ndëretnike, për të gjitha këto probleme Qeveria aktuale nuk kërkon zgjidhje sepse kështu i shkon për shtati më së miri. Këto janë elemente që tregojnë joseriozitet të vendit dhe andaj shënojmë ngecje thotë Enisa Bajrami nga Instituti për Hulumtim të politikave dhe Qeverisje të mirë.

“Nuk e di çfarë nënkupton qeveria e Maqedonisë me integrim drejt BE-së? Nuk e di nëse e kanë të qartë që një shtet të integrohet në struktura euro-atlantike duhet të nxjerr në pah veprat e kryera e jo fjalë boshe “integrimi është prioritet i jonë” që jemi mësuar shpesh ta dëgjojmë. Mbi të gjitha nuk e di si pretendon Maqedonia të bëhet pjese e BE apo dhe NATO kur atë e kanë vërshuar problemet ndër-etnike, sa shumë nuk respektohet përkatësia etnike apo kultura mes Shqiptarëve dhe Maqedonasve” thotë Bajrami.

Për izolimin e Maqedonisë nga BE-ja flet edhe Edmond Ademi nga Instituti Liberta quke e quajtur shtetin si vagon i fundit i trenit për shkak të mungesës së perspektivës evropiane.

“Nëse e kthejmë kohën në vitin 2005, kur Maqedonia mori statusin kandidat e bashkë me Kroacinë ishin lokomotiva që tërhiqte Ballkanin drejt BE, sot lirisht mundemi të themi se jemi vagoni i fundit. Në vitin 2005 Mali i Zi ishte larg BE-së por sot ne kemi mbetur atje ishim ndërsa Mali Zi na ka tejkaluar! Kjo është tregues se që kur ka ardhë në pushtet qeveria aktuale nuk ka kapacitet ti lëviz punët përpara” thotë Ademi.

Për ish sekretarin në Sekretariatin Evropian, Pero Dimshovski nuk është problemi vetëm te qeveria aktuale por te të gjitha qeveritë që e kanë udhëhequr vendin gjatë këtyre 20 viteve nga pavarësimi, thjeshtë janë kuadro pa vizion.

“Nuk duhet të habitemi kur do të shohim se edhe Bosnja dhe Shqipëria do të dalin para neve në këtë garë të quajtur integrim. Është e thjeshtë, liderët e deritanishëm të vendit s’kanë fuqi dhe vullnet politik ta integrojnë vendin. Janë një kuadro me mentalitet anti-evropian, pa edukim, pa vizion që vazhdimisht kërkojnë arsye, tash është Greqia, më parë ishte lufta në Kroaci më pas Millosheviqi, dua të them se çdoherë “dikush” i ka fajet e jo vetë ne “ thotë Dimshovski. Ai thekson se strukturat e njëjta 20 vite kanë uzurpuar publikun ndërsa populli as që gjen mënyrë për ti dënuar ato për mossuksesin e dukshëm.

Ditë më parë, në një intervistë për REL, euro-ambasadori Aivo Orav u shpreh optimist sa i përket plotësimit teknik të detyrimeve të Maqedonisë në lidhje me dialogun e lartë politik që vendi e udhëheqë me KE-në. Kjo sipas Dimovës tregon se KE me siguri e mësuar nga përvoja e ambasadorit paraprak Fuere vendosi të na injorojë dhe të mos mundohet shumë për ne. 

“Derisa nuk krijojmë krizë, ata edhe më tej do të sillen kështu edhe Oravi do të jep deklarata që nuk tregojnë asgjë! Deklarata e tij shumë i ngjan deklaratës së Gruevskit kur tha se raporti do të ketë “pak më pak gjëra pozitive”. Sinqerisht, mendoj se kjo është nënçmim i inteligjencës për shumicën e neve të cilët për çdo ditë merremi me agjendën evropiane” thotë Dimova.

Ndërkaq për Dimshovskin, Orav është një administrator që patjetër të shprehet në atë mënyrë, ndryshe do të del në pah mossuksesi i vetë Bashkimit Evropian me Maqedoninë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button