“Sharri këndon”, sot fillon në Tetovë

Sot në sheshin  e qytetit të Tetovës “Iliria” në mbrëmje do të fillojë festivali folklorik “Sharri këndon”, i cili këtë vit për herë të parë mbahet në qendër të Tetovës.

Ky është edicioni i 18-ti me radhë që mbahet në këtë qytet. Organizatorët gjatë një pres konference kanë bërë të ditur se këtë risi është se do të mbahet ky festival në qendër të Tetovës, dhe jo në qendrën për kulturë siç ndodhte viteve të kaluara.

“Këtë vit do të lajmë borxhin ndaj publikut, pasi që viteve të kaluara këtë festival për shkaqe financiare e kemi mbajtur brenda në sallë, kurse këtë vit nuk do të ketë kufizime për publikun. Të gjithë përgatitjet janë kryer edhe nga ana e këshillit artistik, grupet artistike kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe jemi të gatshëm të fillojmë me fetsivalin”, tha drejtori i festivalit Haki Fazliu.

Sipas tij, sivjet do të marrin pjesë gjithsej 13 shoqëri artistike nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Mali i zi etj.Ndërkaq, këtë vit festivali do të mbajë llogon e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, ide kjo e skenografit Adrian Kadriu.

“Ky festival  këtë vit mund të cilësohet si një festival Ballkanik pasi do të marrin pjesë nga e gjithë Ballkani shoqëri artistike të cilat do të perforomojnë  në një skenë të rregulluar me elegancë dhe të mbuluar na logoja e pavarësisë së Shqipërisë”, tha Adrian Kadriu, skenograf.

Këshilli organizativ ka bërë të ditur se komuna e Tetovës dhe Ministria e Kulturës edhe pse kanë paralajmëruar se do të mbështesin këtë fetsival por deri më tani nuk kanë lëshuar mjetet në  xhirollogari. Për këtë vit pjesëmarrjen e kanë konfirmuar 13 shoqëri artistike nga vendi dhe rajoni siç janë “Jeta e Re” nga Sllupçani, “Besa” nga Gostivari,” Jehona” nga Koroshishti, “Ibe Palikuqi” nga Shkupi, “Shpëtimi” nga Medvegja, “Rapsha” nga Mali i Zi, “Jehona e Malësisë së Sharrit”-Tetovë etj.

Komisioni i festivalit “Sharri këndon” ka bërë edhe përzgjedhjen e këngëve, valleve dhe riteve për secilën shoqëri, si dhe programin me të cilën do të paraqiten në këtë festival.Organizatorët janë duke bërë përgatitjet e fundit për pritjen e mysafirëve, ndërsa planifikohet që hapja e festivalit si çdo vit të bëhet me një defile të pjesëmarrësve nëpër rrugët e qytetit./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button