Përmendoret shqiptare në Shkup assesi të vendosen, faji jetim!

Todor Aleksandrov në kalë, kjo është përmendorja më e “freskët” në Shkup, dhe është një nga mbi  40 përmendoret që po vendosen në Shkup, që nga ardhja e partisë së Gruevskit në pushtet. Edhe kjo si ajo në sheshin Maqedonia e Lekës së Madh nuk ka emër, zyrtarisht quhet “Vojvoda i panjohur në kalë”, dhe për opozitën maqedonase përbën një figure kontraverse, anti-maqedonase. 

Por të lëmë Aleksandrovin me një anë. Në Shkup ka vite që përmendet vendosja e tre përmendoreve të personaliteteve shqiptare, por ato assesi ti shohim, janë vetëm tre, nuk janë të mëdha si ajo e “Luftëtarit në kal”, por nuk vendosen edhe përskaj vështirësive që panë për tu miratuar dhe për tu bërë pjesë e projektit kontrovers “Shkupi 2014”-të.

Tre përmendoret e personaliteteve shqiptare ajo e Pjetër Bogdanit, Josif Bagerit dhe Nexhat Agollit assesi të vendosen në qendër të Shkupit, ashtu siç është paraparë me ndryshimet e bëra në projektin Shkupi 2014-të.

Edhe pse nuk ishin pjesë e projektit fillestar, me ndikim të partisë shqiptare në pushtet tre përmendoret pas një zvarritje për ti miratuar në Këshillin komunal, Komuna Qendër miratoi ato dhe bëri përzgjedhjen e projektit më të mirë ideor, duke përcaktuar emrat e tre autorëve, të cilat po realizojnë veprat, përkatësisht Lindita Beqiri për bustin e Pjetër Bogdanit, dy autorët Muamer Sadiku dhe Bashkim Mexhiti për veprën e Josif Bagerit dhe skulptori Ismet Ramiçeviç për atë të Nexhat Agollit.

Kërkesa për realizimin e tyre në kuadër të projektit “Shkupi 2014” ishte dorëzuar nga BDI që në muajin qershor të vitit 2008-të, përmendoret u paralajmëruan se do të vendoseshin në qendër të qytetit gjatë nëntorit të vitit 2010. Por që atëherë për shkaqe akoma të panjohura asnjëra nga to nuk ka zënë vendin e tyre.

Dy përmendoret, ajo e Pjetër Bogdanit dhe e Nexhat Agollit janë gati, ndera ajo e Josif Bagerit e cila u dëmtua gjatë një aksidenti në atelje, është në fazën finale të realizimit në glinë.
Bashkë autori i skulpturës së Josif Bagerit Muamer Sadiku, për Portalb thotë se vepra e tyre është në fazën finale, edhe pse gjatë punës kanë pasur një aksident, me ç rast nga rëzimi i kulmit të ateljes ku kanë punuar veprën ajo është prishur dhe u është dashur që ta fillojnë nga fillimi.

“Veprën tonë bashkë me kolegun Bashkim Mexhiti e kemi në fazën finale, po bëjmë përmirësimet e fundit, dhe ne nuk në asnjë mënyrë nuk kemi kontribuar në ngecjen e ndonjë procedure, mirëpo me sa e di unë, Komuna Qendër në tenderin e shpallur për derdhjen e tre skulpturave në bronz akoma nuk ka gjetur një fonderi të interesuar, pasi siç duket shuma e ofruar për derdhjen e tyre në bronz nuk tërheq vëmendjen e tyre”, thotë Sadiku.

Zëdhënësi i qeverisë Muhamed Hoxha thotë se ata si qeveri kanë përfunduar detyrën e tyre, ndërsa BDI si parti edhe pse ka trashëguar këtë projekt nga qeveria e mëparshme VMRO-DPMNE dhe PDSH ka arritur të ndërroj karakterin monoetnik dhe atë fetar projektit “Shkupi 2014”.

“Vendosja e tre përmendoreve fillimisht në sheshin e Shkupit si dhe procedurat e vendosjes janë nën ingerencë të Komunës Qendër. Por,  që është me rëndësi të theksohet se ky projekt së shpejti do të finalizohet dhe me këtë ne ndryshuam karakterin e projektit “Shkupi 2014” sepse bëhet fjalë për një projekt të trasheguar nga qeveria VMRO-DPMNE PDSH, një projekt monoetnik, dhe qasja jonë ishte që ky projekt të reflekton karakterin shumë-etnik që ka kryeqendra dhe vendi ynë.  Ajo qy është më me rëndësi të theksohet se këtij projekti ia hoqëm edhe karakterin fetar,  se nuk lejuam ndërtimin e kishës”,  deklaroi për Portalb, Muhamed Hoxha, zëdhënës i qeverisë.

 Nga komuna Qendër thonë se shumë shpejtë do të bëhet përzgjedhja e fonderisë që do të bëj derdhjen e përmendoreve në bronze.

 “Në rrjedhë e sipër është tenderi për përzgjedhjen e një fonderie për derdhjen e tyre në bronze, për tre përmendoret shqiptare, mund të them se shumë shpejtë do të gjendet fonderia fituese, dy përmendore janë gati në gips pra janë të gatshme për derdhje në bronzë, kurse e treta është në fazën e glinës që do të thotë se akoma është duke u punuar nga autorët” deklaroi për Portalb Jovica Ackovski, zëdhënës i Komunës Qendër.

Tre përmendoret janë paraparë të vendosen në pjesë të ndryshme të qendrës në dy anët e Urës së gurit. Pjetër Bogdani është paraparë të vendoset në “Parkun e gruas” përballë Kuvendit të Maqedonisë,  Josif Bageri, para teatrit të Vjetër që është në fazën finale të ndërtimit,  ndërsa ajo e Nexhat Agollit do të jetë përmendorja e pare e një shqiptari në sheshin kryesor Maqedoni në qendër të Shkupit, pranë përmendores së Goce Dellçevit. Secila prej tyre kushton nga rreth 70 mijë euro. 

Josif Bagerin dy autorët Muamer Sadiku dhe Bashkim Mexhiti e kanë paraqitur si një veprimtar dhe mendimtar të asaj kohe, ku spikat profili i tij si mësimdhënës. Përmendorja e Nexhat Agollit që realizohet nga skulptori Ismet Ramiçeviç do të jetë e derdhur në bronz në një lartësi prej 5 metra, ndërsa  autorja e Pjetër Bogdanit, Lindita Beqiri gjithashtu në bronze do ta sjell figurën e themeluesit të  letërsisë shqipe.

Ndryshe tre figurat shqiptare kanë vepruar në periudha të ndryshme të historisë, Pjetër Bogdani është themelues i letërsisë shqipe, rilindas shqiptar dhe prifti katolik i cili disa vjet të jetës së tij shërbeu në Shkup, Josif Bageri,  ishte gjithashtu rilindas,  publicist dhe gazetar ndërsa  Nexhat Agolli ishte ministri i parë shqiptar i qeverisë së Maqedonisë të vitit 1945.

Tre përmendoret shqiptare, megjithëse vendosen për herë të parë në Qendër të Shkupi, përbëjnë një përqindje simbolike në krahasim me mbi 40 përmendoret e heronjve maqedonas që akoma vendosen dhe secili prej tyre ka vlera marramendëse. I gjithë projekti “Shkupi 2014” edhe pse nuk dihet shuma e saktë e tij vlerësohet se deri tani ka kushtuar rreth 300 milion euro.  /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button