Tetovarët do të freskohen në çezmet publike

Në këto temperatura të larta gjithnjë e më pak vërehen qytetarë të cilët lëvizin në rrugët e qytetit. Apelet e njëpasnjëshme të mjekëve që t’i shmangen ekspozimit në diell pa nevojë po respektohen nga ana e qytetarëve.

Në orët e mesditës kur vapa është shumë e madhe, qytetarët e paktë të cilët vërehen rrugës freskinë e gjejnë në çezmat publike të Tetovës. Nga ndërmarrja publike komunale në Tetovë, njoftojnë se numri i çezmave publike i plotëson nevojat e qytetarëve në këto temperatura afrikane. Poashtu nga kjo ndërmarrje njoftojnë se shumë shpejt do të funksionojnë edhe çezmat përreth qendrës së Tetovës.

“Krahas kësaj, një pjesë e çezmave publike gjithnjë janë cak i vjedhësve ose në shumë raste dëmtohen nga persona të pandërgjegjshëm me ç’rast shpesh herë ata janë edhe jofunksionale jo për fajin e NPK-së. Tentojmë t’i rregullojmë dhe mirëmbajmë ata që janë, sepse ata janë të vendosura për qytetarët”, thotë kreu i NPK-së në Tetovë, Ajet Murati, i cili vijon më tej se gjatë orëve të natës cisternat me ujë vazhdimisht lajnë rrugët kryesore të qytetit, sidomos bulevardet të cilët janë më të frekuentuara gjatë ditës.

Murati thotë se spërkatja me ujë e rrugëve të Tetovës, bëhet në orët e vona kur komunikacioni është më pak i stërngarkuar, kurse krahas kësaj poashtu ujiten edhe drunjtë dhe gjelbërimet në qytet. Ai ka njoftuar se gjatë kësaj vere nuk do të ketë probleme sikur viteve të kaluara me ujin e pijshëm. Sipas tij, këtë vit janë riaktivizuar burimet të cilët dhjetë vjet nuk kishin derdhur ujë në ujësjellësin e Tetovës dhe tani sasia e ujit është e mjaftueshme.

“Janë riaktivizuar disa burime të ujit të cilët dhjetë vjet kanë qenë të tharë apo më mirë thënë nuk kanë sjellë ujë. Këtë vit ata janë aktivizuar sërish dhe tash kemi 610 litra ujë në sekondë dhe kjo i përmbushën nevojat e qytetarëve” deklaroi Murati.

Ai nënvizoi se tashmë janë shkyçur nga përdorimi puset të cilët në mënyrë shtesë kishin furnizuar qytetin me ujë gjatë kohës së restrikcioneve. Qytetarët e Tetovës në këto ditë të nxehta freski kërkojnë nëpër pishinat dhe periferitë e qytetit sidomos në viset malore. Si vend më i frekuentuar vazhdon të jetë Banja e Tetovës, ku qytetarë të shumtë për shkak të mospasjes së alternativeve të tjera këtë vend e vizitojnë në numër shumë të madh. Krahas kësaj, në ndihmën e shpejtë në Tetovë, numri i pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë në këto temperature të larta lëviz prej 130 deri në 150 brenda një orari kujdestarie. Mjekët nga ndihma e shpejtë rekomandojnë që në këtë vapë, nga ora 11 deri në ora 17 të mos dilet në diell, por edhe nëse është e domosdoshme atëherë duhet të përdoren kapelat, veshjet e holla dhe si dhe të konsumohen sa më tepër lëngje./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button