Kosova nuk arrin të tërheqë kriminalizmin e shpifjes

Liria e shtypit pësoi një prapësim në Kosovë të premten (22 qershor), kur asambleja hodhi poshtë një propozim për të ndryshuar dy nene në kodin penal që kriminalizojnë shpifjen e lejojnë që gazetarët të burgosen nëse nuk shfaqin burimet e tyre.

Tetë anëtarë të parlamentit, si nga shumica, ashtu edhe nga opozita, votuan kundër ose abstenuan ndaj masës, duke e penguar parlamentin që të arrijë 61 votat e kërkuara për të hequr nenet nga ligji.

“Fatkeqësisht, disa njerëz primitivë [që] nuk e kuptojnë çdo të thotë liri e shtypit janë ende të fuqishëm dhe në funksione vendim-marrëse,” tha për SETimes Arben Ahmeti, kreu i Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Kosovës.

Menjëherë pas votimit, Zëvendës/Kryeministri e Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuqi dha dorëheqjen. Ai kishte premtuar dorëheqjen e tij për gazetarët nëse ligji, i sponsorizuar nga ministria e tij, hyri në fuqi.

“Dhashë dorëheqjen sepse dëshiroj t’a shoh çdo gazetar në sy e nuk dëshiroj të jem dikush që dëmton lirinë e shtypit,” tha Kuqi.

Asambleja e miratoi kodin në prill, por pas protestave nga gazetarët e vëzhguesit e mediave, Presidentja Atifete Jahjaga e ktheu ligjin përsëri në parlament për shqyrtim e ndryshime.

Ajo e quajti propozimin në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës. “[Nenet] dëmtojmë lirinë e mediave e janë në kundërshtim me përpjekjet e institucioneve të Kosovës për të krijuar një rend demokratik,” tha Jahjaga pas votimit të së premtes.

Gjatë një takimi urgjent të qeverisë, Kryeministri Hashim Thaçi shprehu pakënaqësinë e tij për votimin. “Ndjehem i turpëruar nga ky vendim, i cili [përfshiu votat e] disa prej anëtarëve të partisë [tonë] të PDK-së.”

Ai gjithashtu kërkoi një nismë qeveritare për të ndryshuar kodin, duke eleminuar dy nenet e debatuar. “Si kryeministër, nuk do të jem kurrë dakort me ligje që dëmtojnë lirinë e shtypit,” tha ai.

Adem Grabovci, një anëtar i parlamentit i PDK-së, dha një votë kundër heqjes së dy neneve nga kodi penal. Ai u tha gazetarëve se asambleja mbështet riformulimin e neneve të diskutueshëm, por jo heqjen e tyre.

Samuel Zbogar, kreu i Zyrës së BE-së në Kosovë, paralajmëroi se vendimi i asamblesë për të mbajtur dy nenet e lë vendin pas pjesës tjetër të rajonit. Pothuajse gjithë vendet fqinje i kanë hequr dispozitat që penalizojnë mediat për kryerjen e detyrave të tyre.

Më e fundit ishte Maqedonia, që më parë këtë vit dekriminalizoi shpifjen.

“Eshtë fatkeqësi që një vendim i tillë u mor pavarësisht nga këshilla e vazhdueshme nga BE se këto nene janë në kundërshtim me konventat e [Bashkimit] e Acquis Communautaire që mbrojnë lirinë e shprehjes e lirinë e mediave,” tha Zbogari.

Ahmeti tha se shoqata e tij do t’a kundërshtojë ligjin — me protesta e një kërkesë tek avokati i popullit për t’a paraqitur rastin në Gjykatën Kushtetuese.

“Gazetarët e Kosovës nuk do të ndalin përpjekjet e tyre për të shpënë përpara lirinë e shtypit, për të demokratizuar këtë shoqëri e për të luftuar primitivizmin,” tha Ahmeti. /SETimes/

Lajme të ngjashme

Back to top button