Tetova më e ndotur se metropolet e Evropës!

Vetëm gjatë muajit maj, ajër më të keq dhe më të ndotur kanë thithur qytetarët e Tetovës, pasi që prezenca e pluhurit në këtë qytet ka qenë 142 mikrogram në kub, që është katër herë më shumë se normalja në qytetet e Evropës. Edhe pse në qytetin e Tetovës nuk ka fabrika gjigande të industrisë së rëndë, si dhe krahas afërsisë me malin Sharr, ajri gjatë këtij viti ka prezencë të pluhurit në masë të madhe, që duhet të alarmojë të gjithë. Nëse banorët e qyteteve të Evropës jetojnë në ambient ku ndotshmëria e ajrit është prej 20 deri në 30 mikrogram për kub, në Shkup kjo masë është 50 mikrogram, kurse në Tetovë mestarja është 90.

Këto shifra alarmante i tregojnë sistemet automatike matëse monitoruese të vendosura nga ana e Ministrisë së Ekologjisë në shumë vende. Sipas të dhënave nga këta aparate automatike monitoruese të prezencës së pluhurit në ajër, gjatë gjithë muajit maj, ndotshmëria ka qenë mbi kufirin e lejuar, rreth 90 mikrogram në kub ka qenë i pranishëm pluhuri në ajër. Koncentrimi më i madh ka qenë më 14 maj kur është matur 142 mikrogram pluhur. Për Profesor Mertezan Ismailin, nga Instituti i ambientit dhe shëndetit në UEJL, këto shifra duhet të alarmojnë institucionet përgjegjëse në vend që të bëjnë analiza se nga vjen ky pluhur dhe kjo ndotje e ajrit.

”Në Maqedoni ka 12 stacione të instaluara për matjen e pluhurit në ajrit. Këto aparate i kanë dhënë ato rezultate dhe tash duhet që të bëhen analiza për prejardhjen e këtij pluhuri që nëse tejkalon nivelin sigurisht se është i dëmshëm. Sigurisht se kjo është një gjendje që duhet të na shqetësojë të gjithëve. Nuk ka analiza të cilët tregojnë se nga është ky pluhur por mund të supozojmë se bëhet fjalë për pluhur të ndërtimtarisë, nga komunikacioni por edhe nga ndonjë ndotës tjetër. Kujdesi i kompanive është shumë i vogël ndaj ambientit dhe kjo është shumë e rrezikshme sepse standardet botërore janë prej 20 deri në 30 mikrogram pluhur në metër kub, kurse këtu kemi katër apo pesë më shumë. Mund të jetë pluhur i thjeshtë, por çdo lloj pluhuri është i dëmshëm dhe rreziku është i madh. Është mirë që të ketë më shumë kontroll, sidomos gjatë transportit të materialeve ndërtimore që pluhuri mos të ngrihet, mos transportohet, ku hidhet, mënyrat se si të hidhet pluhur, e kështu me radhë. Kujdesi duhet të jetë i gjithanshëm në këtë drejtim”, tha profesori Ismaili. 

Ndërkohë që nga Ministria e Ekologjisë thonë se koncentrime të larta të të ashtuquajturit pluhur të suspenduar, mbi 10 mikrometër, krahas muajit maj janë matur edhe në muajt tjerë në Tetovë, që është jo e zakonshme për këtë periudhë të vitit, por qetëson fakti se bëhet fjalë vetëm për pluhur ndërtimor dhe jo diçka tjetër alarmante.

“Shkak për këtë është se në afërsi të stacionit matës në Tetovë që ndodhet në afërsi të gjimnazit të Tetovës afër xhamisë së larme, në afërsi të së cilës ndërtohet sallë sportive. Këto aktivitete ndërtimore shkaktojnë lëshime të pluhurit që manifestohet me rritje të koncentrimit të mbetjeve të pluhurit. Për shkak të kësaj, të dhënat e mara nga stacioni monitorues nuk e tregojnë pamjen e vërtetë të kualitetit të ajrit në Tetovë. Me qëllim të zgjidhjes së këtij problemi, Ministria e ekologjisë ka formuar grup punues me përfaqësues të komunës së Tetovës dhe nga instituti hidrometeorologjik, që të gjendet vend tjetër për stacionin matës. Në vijim janë duke u shqyrtuar disa lokacione të mundshme nga ana e grupit dhe shpresojmë se shumë shpejtë do të bëhet dislokimi i stacionit matës dhe do të zgjidhet ky problem”, thonë nga shërbimi për informim në Ministrinë e Ekologjisë.

Nëse koncentrimit i pluhurit të imët e tejkalon 100 mikrogramin për kub metër në ajër në qytetet e Evropës, kjo vlerësohet se ai ajër është i dëmshëm për shëndetin dhe rekomandimi është që të mos rihet shumë jashtë. Në Maqedoni rekomandohet të mos qëndrohet jashtë nëse pluhuri ka arritur masën 500 mikrogram për metër kub në ajër. Nga Instituti për Shëndet Publik në Tetovë dhe në Shkup, edhe përkundër insistimeve tona, nuk kanë dhënë prononcime në lidhje me ndotshmërinë e ajrit në qytetin e Tetovës me arsyetim se janë në udhëtim zyrtar drejtues të këtij instituti./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button