Në Bjellorusi janë liruar gazetarët e arrestuar
Të gjithë gazetarët, të burgosur gjatë kësaj jave në aksionin e madh të policisë kundër mediave të pavarura në Bjellorusi, sot janë liruar.
Autoritetet e Bjellorusisë ngritën hetim kundër disa mediave të caktuara nën akuzë se kishin shfrytëzuar përmbajtje nga agjencia shtetërore e lajmeve BELTA pa pasur parapagim, me ç’rast është kryer bastisje në disa redaksi dhe ishin arrestuar gjithsej 13 gazetarë.
“Qëllimi kryesor i shefave të shërbimeve për siguri është që t’i frikësojnë njerëzit dhe ta përforcojnë autocenzurën, që plotësisht t’i kontrollojnë mediat”, deklaroi analisti politik i portalit “BelaPan”, Aleksandër Kaskovski.
Në përputhje me ligjet e Bjellorusisë, nëse gazetarët shpallen fajtor mund të dënohen me burg deri në dy vjet dhe me ndalesë të përkohshme për kryerjen e profesionit të gazetarisë.
Paraprakisht, Këshilli i Evropës apeloi për hetim të shpejtë dhe transparent dhe për lirimin e gazetarëve të arrestuar.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bjellorusisë Anatolij Glaz, të mërkurën deklaroi se arrestimi i gazetarëve nuk ka lidhje me politikë ose me lirinë e mediave.
Mediat në Bjellorusi janë nën kontroll të vazhdueshëm të pushtetit, veçanërisht pas demonstratave në mars të vitit 2017, kur qindra njerëz janë burgosur.