Qendrës ditore në Tetovë i ndërpriten mjetet për ushqim dhe transport

Dy punëtorë social, një defektolog dhe katër motra medicinale, ky është stafi që përkujdeset për 25 fëmijët me nevoja të veçanta të cilët marrin shërbime në qendrën ditore në Tetovë. Kjo qendër më shumë se dhjetë vite trajton dhe ofron kujdes për fëmijët me nevoja të veçanta nga Tetova dhe rrethina. Megjithatë, këtij institucioni i mungon kuadër tjetër i nevojshëm, siç janë pedagog dhe psikolog.

“Disa nga fëmijët të cilët janë në gjendje të rëndë shpesh kanë nevojë për trajtim të veçantë, atyre ju nevojitet një pedagog e padyshim që shpeshherë duhet t’ju vijë në ndihmë edhe një psikolog. Fatkeqësisht kjo kërkesë gjithmonë ka hasur në vesh të shurdhër. Që kur është themeluar qendra për qëndrim ditor si profil kanë ekzistuar edhe pedagogu edhe psikologu. Ato punuan për një kohë të shkurtër por dje, për shkaqe që as vet ne nuk i kuptojmë, ato i tërhoqën. Në këtë qendër mbase janë më se të nevojshëm se në çdo vend tjetër, pasiqë është e domosdoshme që fëmijët të konsultohen me psikologun e të marrin këshilla nga ai. Realisht, ky shqetësim më së shumti i mundon punonjësit ngase në disa raste specifike duhet që të konsultohen fëmijët më psikologun”, thotë Bexhet Kamberi, përgjegjës në qendrën ditore në Tetovë.

Ai thotë se momentalisht ka katër motra medicinale, nga të cilat njëra ka të mbaruar fakultetin dhe mund të kryejë punën e pedagoges, por për shkak të mos sistematizimit ajo ende nuk mund të marrë vendim si pedagoge. 

Ndërkaq, edhe pse bëhet fjalë për qendër për fëmijë me nevoja të veçanta, shteti është treguar i pamëshirshëm, dhe këtë vit ka shkurtuar mjetet e ushqimit dhe transportit. Qendra ditore për trajtim të fëmijëve me nevoja të veçanta në Tetovë është lënë pas dore. Kërkesat e saj hasin në vesh të shurdhër ndërsa buxheti nga viti në vit reduktohet, ankohen në këtë qendër. 

“Deri para këtij viti, çdo herë janë ndarë 300 mijë denarë për ushqim, kurse nga ky vit marrim 200 mijë denarë për ushqim. Nëse llogarisim kjo i vjen se kemi mjete që të ushqejmë vetëm 16 fëmijë kurse këtu trajtojmë 25 fëmijë. Poashtu, këtë vit na janë reduktuar edhe mjetet për transport. Nga 300 mijë denarë që ndaheshin më herët, tani kemi 280 mijë denarë për transport të fëmijëve dhe ne jemi detyruar që të ndërpresim linjën për në fshatin Poroj, ku merrnim një fëmijë”, thotë Kamberi. 

Gjatë këtyre viteve sa ekziston kjo qendër, janë trajtuar rreth 60 fëmijë me nevoja të veçanta, ndërsa në shumë raste në mungesë të mjeteve nga shteti paraqiten donatorë të ndryshëm të cilët mundësojnë që fëmijët të kenë kushte më të mira për trajtim. Në fillim në Maqedoni kanë funksionuar vetëm 5 qendra ditore ndërsa tani më ky numër është rritur në 20 të tilla në tërë territorin.

Në këtë qendër, momentalisht trajtohen vetëm fëmijët të cilët janë nga komuna e Tetovës, ndërsa numri i personave me nevoja të veçanta është shumë më i madh kurse një numër i konsiderueshëm janë të mbyllur në shtëpi, e sidomos nga komunat rurale të ish territorit të komunës së Tetovës, pasi që në këto vende akoma nuk ka një qendër, ndërsa asnjë institucion, nuk ka marrë iniciativë që këtyre fëmijëve t`iu siguroj së paku transport./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button