Afganistani pas 26 vitesh merr kontrollin mbi hapësirën ajrore
Qeveria e Afganistanit pas 26 viteve mori kontrollin e hapësirës ajrore mbi vendin, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i kabinetit të presidentit të Afganistanit, Huseyin Murtezevi, deklaroi se tashmë 26 vite vendet e huaja kanë kontrolluar hapësirën ajrore.
Ai tha se me vendosjen e sistemit të ri të radarit në aeroportin ndërkombëtar në Kabul, kontrollin mbi hapësirën ajrore tërësisht e merr qeveria afgane.
Kryetari i zyrës shtetërore për aviacion ajror, Mahmud Sah Habibi, deklaroi se hapësira ajrore afgane tani do të jetë tërësisht e sigurtë.
Ai theksoi se sistemi i ri i radarit kushtoi 30 milionë dollarë, dhe se për kontrollin dhe mirëmbajtjen e tij çdo vit do të nevojiten të ndahen nga 10 milionë dollarë.
Sistemin e vjetër të radarit në aeroportin në Kabul e ka vendosur Bashkimi Sovjetik, por ky sistem në masë të madhe është dëmtuar gjatë përleshjeve në këtë vend gjatë viteve 90-të.
Pas rrëzimit të regjimit taleban në vitin 2001, kontrollin mbi hapësirën ajrore e kanë pasur vendet e huaja.