Konferencë e ITKSHSH në Strugë

Studiuesit dhe profesorët e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, Universitetit Ndërkombëtar të Strugës, Universitetit Shtetëror në Tetovë, Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë dhe përfaqësues të komunave shqiptare, gjatë dy ditëve të kaluara në Strugë morën pjesë në konferencën shkencore me temë “Trashëgimia kulturore dhe turizmi në Maqedoni”.

Konferencën e përshëndetën kryetari i Komunës së Strugës, Dr. Ramiz Merko dhe drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Dr. Shefqet Zekolli.
      
Në këtë konferencë u konkludua se trashëgimia kulturore dhe turizmi janë të ndërvarura mes vete në praktikë dhe ky bashkëpunim duhet të realizohet përmes aktiviteteve konkrete: konservimit, modernizimit, sanimit, restaurimit, revitalizimit të objekteve dhe vlera të tjera të trashëgimisë shqiptare.
    
Studiesuit dhe profesorët dhanë disa rekomandime për institucionet përkatëse. Ata rekomanduan Qeveria dhe pushteti lokal të përpilojnë një strategji për revalorizimin joselektiv por gjithpërfshirës të trashëgimisë kulturore në kuadër të politikave zhvillimore afatgjate dhe afatmesme të turizmit.
    
Gjithashtu u konkludua se institucionet gjegjëse të përgatisin ekspertë dhe ekipe të specializuara në fusha të caktuara të trashëgimisë dhe të punësohen nëpër institucionet përkatëse të shtetit. Në këtë konferencë u debatuan aspekte të veçanta të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërorë të shqiptarëve dhe ndikimit të tyre ndaj turizmit. Në këtë konferencë u propozua që zbulimet arkeologjike të jenë në funksion të zhvillimit të turizmit, ndërsa Dita e verës të shndërrohet në atraksion turistik.
    
Poashtu u shfaq nevoja e angazhimit më të madh të pushtetit lokal në promovimin e trashëgimisë për efekte turistike, media të bashkëpunojë më shumë me subjektet turistike dhe kulturore, ndërsa të krijohet një faqe e internetit e cila do ta promovojë trashëgiminë kulturore dhe turizmin.
    
Studiuesit që morën pjesë në konferencë ishin: Dr. Mislim Zendeli, prof. Dr. Nebi Dervishi, Dr. Murat Murati, Dr. Mixhait Pollozhani, Dr. Bashkim Rama, Dr. Fatmir Sulejmani, Dr. Naim Halimi, Dr. Salajdin Salihu, Mr. Bekim Adili, Dr. Sali Zhaku, Dr. Sefer Tahiri, Dr. Mustafa Ibrahimi, Rini Huseini, Mr. Arlind Farizi dhe Agron Salihu.      
    
Organizatorë të konferencës ishin Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, Komuna e Strugës dhe Universiteti Ndërkombëtar të Strugës.

Lajme të ngjashme

Back to top button