Maqedonia, sistem gjyqësor anti-shqipar?

Dje iu shqiptua dënim ekspres të parit nga të arrestuarit për rastin Monstra, edhe pse në procedurë të mëtutjeshme u vërtetua se Ibrahim Sejadini nuk kishte pasur lidhje me rastin e vrasjes së pesëfishtë në Smillkovc. Ai u dënua me gjashtë vite burg për armëmbajtje pa leje.

Dy ditë më parë, i riu Mynir Ismaili nga Struga u dënua me pesë muaj burg për djegien e flamurit maqedonas.

Nga ana tjetër ende nuk ka filluar gjykimi për vrasjen e dyfishtë të shqiptarëve në Gostivar. Për rrahjen e grave në Nerez u tha se ka të dyshuar, por ata asnjëherë nuk u dënuan. Dy herë u dogj flamuri shqiptar nga tifozët maqedonas, askush nuk dha përgjegjësi.

Ashtu siç po rrjedhë procesi gjyqësor, duket se do të shpëtojnë lehtë edhe vrasësit e Muhamedali Jasharit, nxënësit 18 vjeçar nga Kondova.

A kemi të bëjmë me gjyqësi selektive në Maqedoni? Shumë ekspertë të vendit dhe ndërkombëtare mendojnë se ekziston selektim brengosës në punën e gjyqësorit. Përveç selektimeve në vijë partiake (rasti i Ljube Boshkovskit, Velija Ramkovskit), shumë më e theksuar është kriteri kombëtar.

“Dënimi i fundit me burgim i Mynir Ismailit nga Struga, është vazhdimësi e standardit të vendosur prej kohësh nga organet gjyqësore në Maqedoni, për dënimin selektiv të shqiptarëve, për shkak të përkatësisë së tyre etnike – ndërkohë që jo vetëm që as nuk merren në pyetje për veprën penale të nxitjes së urrejtjes ndëretnike, djegësit e flamurit shqiptar, të djegur në mënyrë publike dhe para kamerave në ndeshjen Rabotniçki-Liria, por dekorohen dhe sponsorizohen personat që në prani të presidentit të vendit, në ndeshje sportive, bëjnë thirrje për dhoma gazi dhe vdekje të shqiptarëve” thonë nga partia opozitare shqiptare, RDK.

Mendim të ngjashëm ndajnë edhe ekspertët e fushës juridike.

“Sidomos vitet e fundit kur flitet për problemet me gjyqësorin që ka Maqedonia dhe reformat në gjyqësi, një prej çështjeve mjaft aktuale problematike fatkeqësisht është edhe çështja e gjykimit të drejtë, adekuat e ligjor. Kjo nga shkaku se edhe në raportet e KE dhe Stejt Departmentit gjithmonë vlerësohet se gjyqësori në Maqedoni akoma nuk është në nivel të kompetencës, dhe se kompetenca nuk realizohet në tërësi nga ana e gjyqësorit” – thotë Profesor Osman Kadriu, ekspert në të drejtën kushtetuese.

Ai konstaton se shqiptarët janë viktimë jo vetëm në gjyq, por në tërë procesin penalo-juridik, duke filluar nga policia, prokuroria, e deri te gjyqi.

“Nuk ka efikasitet, nuk ka vendime kualitative, dhe sidomos kur flitet dhe kur punohet për lëmi penalo-juridike dhe për ndjekjen e veprave penale hasim në raste konkrete kur vlerësohet se gjyqësori në mënyrë selektive bën gjykimin. Në mënyrë selektive bëhet edhe ndjekja penale nga ana e organeve për ndjekje penale si policia dhe prokuroria. Kjo mandej vazhdon edhe te gjyqësori” – shpjegon Kadriu.

Sipas Osman Kadriut, në rastet e gjykimeve selektive prapavija është trysnia politike, presioni politik që për çështje konkrete të miratohet një vendim i tillë nga ana e gjyqësorit.

Ndërsa sipas RDK-së, vendimet e këtilla të gjykatave janë pasojë edhe e numrit shumë të vogël të gjykatësve dhe prokurorëve shqiptarë dhe paragjykimit e margjinalizimit të tyre, edhe dhjetë vite pas mbarimit të luftës së vitit 2001.

Lajme të ngjashme

Back to top button