Gjithnjë e më shumë të varfër dhe më pak ndihmë sociale

Sipas Entit për Statistikë të Maqedonisë shkalla e varfërisë në vend në vitin 2010 është rritur në 30.9 për qind, por në barrë të buxhetit shtetëror ka më pak shfrytëzues të ndihmës sociale. 
Sipas të dhënave më të reja të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, momentalisht numri i përgjithshëm i shfrytëzuesve të ndihmës sociale në Republikën e Maqedonisë arrin 37.321 shfrytëzues.Më shumë ka në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, komuna këto me më së shumti banorë.

Në vitin 2002/2003 ka pasur numër rekord të shfrytëzuesve të ndihmës sociale gjithsej 88.000, ndërsa që prej atëherë ky numër është përgjysmuar. Në fillim të vitit 2011 ka pasur 46.000, ndërsa në nëntor të vitit të kaluar janë pakësuar në 39.000. Gjatë gjashtë muajve të kaluara të këtij viti ka ule për 1.679 shfrytëzues të ndihmës sociale. Sipas Entit Shtetëror për Statistikë, shkalla e varfërisë prej 20.7 për qind në vitin 2001, në vitin 2010 është rritur në 30.9 për qind.

Sipas autoriteteve zvogëlimi i numrit të shfrytëzuesve të ndihmës sociale është për shkak të një sërë keqpërdorimesh nga ana e shfrytëzuesve.

“Është vërtetuar se disa shfrytëzues kanë realizuar të ardhura shtesë, të cilat nuk i kanë lajmëruar në afat prej 15 ditëve, ndërsa nuk kanë lajmëruar edhe ndryshim të gjendjes pronësore dhe shifrore në amvisëri. Nga Agjencia për kadastër të patundshmërive u vërtetua se një numër i madh i shfrytëzuesve posedojnë pronë të patundshme mbi 7.00 metra katror, që është arsye për ndërprerjen e ndihmës sociale. Ndërsa disa me kohë nuk kanë përtërirë dokumentacionin e nevojshëm, që po ashtu imponon ndërprerjen e ndihmës sociale”, potencojnë për DW nga shërbimet e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.

Shumë familje që kanë shfrytëzuar ndihmë sociale, e tani u është ndërprerë thonë:
 “Neve me pa të drejtë na është shkurtuar ndihma sociale, sepse kemi tokë që e kemi trashëgimi familjare, ndonëse jetojmë në qytet të distancuar shumë larg fshatit dhe për këtë shkak nuk e punojmë. U mbyllën fabrikat dhe tani nuk punojmë askund. Nga ana tjetër, ndihma sociale marrin disa persona me banesa dhe vetura luksoze, e që kanë lidhje me autoritetet”, thonë qytetarët. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button