Objekti i Institutit: Mexhiti, po kërkojmë lokacion të përhershëm

Instituti për trashëgimi shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve në Maqedoni do të shpërngulet edhe një herë, por këtë herë, sipas të gjitha gjasave, shpërngulja do të jetë definitive. Si lokacion më i preferuar dhe me kushte më të përshatshme për shkenctarët shqiptarë, përmendet Kazerma ‘Ilinden’ në Shkup, një pjesë e madhe e së cilës do të shndërrohet në lagje civile, ndërsa afro gjysma e saj gjendet pikërisht në territorin e komunës së Çairit.   

Se Instituti do të shpërngulet konfirmon edhe numri dy i BDI-së, Izet Mexhiti. Ai thotë se BDI dhe Komuna e Çairit kanë në plan që Instituti dhe USHT-ja në Shkup të jenë pjesë e një kompleksi arsimor që do të ndërtohet në ndonjë lokacion në territorin e komunës së Çairit.

‘Një kohë më të gjatë ne po punojmë drejt zgjidhjes afatgjate të Institutit, ashtu siç po punojmë në këtë drejtim edhe për Universitetin Shtetëror të Tetovës në Shkup, jemi duke punuar në këtë drejtim, ekzistojnë disa alternativa, dhe besoj se do të bëjmë zgjidhjen më të mirë për këtë Kompleks arsimor, edhe për Institutin për trashëgimi shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve në Maqedoni edhe për Universitetin Shtetëror të Tetovës në Shkup, ndërsa deri sa nuk gjendet një zgjidhje afatgjate, Instituti do të ngelet në atë hapësira kush është tani’ deklaroi nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti.

Dje televizioni Alsat M, publikoi vendimin për shpërnguljen e Institutit për trashëgimi shpirtërore dhe kulturore të shqiptareve, që sipas tyre e kishin përkrahur edhe ministrat e BDI-së pa dijeninë e tyre në seancën e Qeverisë më 1 qershor. Pasi e kanë votuar e kanë kuptuar se për çfarë në të vërtet kanë dhënë pëlqimin e tyre.

Vendimi që është marrë para tri javësh mban numrin 41/17/65, dhe i njëjti është miratuar me kërkesë të Ministrit të jashtëm të Maqedonisë Nikolla Poposki. Poposki e ka propozuar objektin ku tani ndodhet Instituti, ndërsa më herët ishte objekt i Ambasadës së SHBA-ve, ti jepet Ambasadës së Bullgarisë dhe në kompensim Maqedonisë shteti bullgar ti ndajë një objekt për ambasadën në Sofje.

Ndaj këtij vendimi të qeverisë reagoi ashpër PDSH-ja opozitare, me akuza se BDI dëshiron të shkatërron Institutin.

‘Shkatërrim i Institutit daton prej fillimit të qeverisjes së këtij koalicioni VMRO-BDI. Filloi me mos ndarje të buxhetit, mosmiratim të projekteve të këtij institucioni nga ana e qeverisë siç ishte rasti me 100 vjetorin e Kongresit të Manastirit kur ky Institut u përjashtua tërësisht nga manifestimet, shpërngulja e parë e Institutit nga objekti i Kurshumli Hanit, zero denarë për manifestimet e 100 vjetorit nga ana e Institutit dhe tani i jepet goditja e fundit me shpërnguljen e dytë që ka për qëllim edhe mbylljen e plotë të tij’.

‘Përcaktimi i PDSH-së gjithmonë ka qenë themelimi i institucioneve autonome shqiptare. Pikërisht bazuar në këtë përcaktim PDSH-ja në vitin 2007 e themeloi Institutin për trashëgimi kulturore dhe shpirtërore për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë me qëllim që në një të ardhme të afërt ky projekt të përfundoj në themelim të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Shqiptarëve të Maqedonisë’ thuhet në reagimin me shkrim të Partisë Demokratike Shqiptare.

Objekti në të cilin aktualisht ndodhet Instituti për trashëgimi shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve në Maqedoni, gjatë viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar ishte çerdhe fëmijësh dhe ashtu ngeli deri në fillim të viteve të nëntëdhjeta ku me pavarësimin e vendit u paraqit nevoja për hapjen e shumë ambasadave të huaja që kishin njohur shtetin e ri të Maqedonisë.

Pikërisht  për këtë qëllim me vendim të qeverisë pronësia e objektit nga Ministria për punë dhe politikë sociale nën ingerenca të së cilës janë çerdhet për fëmijë, kaloi nën atë të Ministrisë së jashtme dhe objekti iu nda Ambasadës së SHBA-ve në Shkup, e cila qëndroi aty plot 15 vite deri sa ndërtoi objektin e saj në Kalanë e Shkupit para 3 viteve.

Pas lëshimit të objektit nga amerikanët, një pjesë e objektit iu nda Institutit i cili paraprakisht ishte i vendosur në objektin Kurshumli han, në Çarshinë e vjetër në Shkup, objekt ky i ndërtuar në shekullin 18 dhe që nuk mund të adaptohej me natyrën shkencore të aktiviteteve të ITKSHSHM-së.  /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button