DR: Shqiptarë, ruajuni nga gjyqësia maqedonase

Demokracia e Re përmes një kumtese ka reaguar në lidhje me rastin e shqiptimit të masës së burgut për Mynir Ismailin, shqiptarit nga Struga që dogji flamurin maqedonas në janar të këtij viti.

“Në Maqedoni mund të shfrysh ndjenjat e tua shoviniste duke sharë e ofenduar qytetarët shqiptar dhe jo vetëm kaq por duke kërkuar edhe dhoma gazi për to apo zhdukje dhe eliminime masive,  duke mos pasur as frikën më të vogël se  ministria e punëve të brendshme,  prokuroria apo gjyqësia maqedonase informohen për këtë. Në Maqedoni mund edhe të vrasësh qytetarë shqiptar edhe atë në mes të rrugës bile edhe me petkun e institucionit i cili është i obliguar ti mbrojë ata ndërsa organet gjyqësore të heshtin muaj të  tërë sikur nuk ka ndodhë asgjë. Në Maqedoni mund të rrahësh nxënësit shqiptar kur të të dojë qejfi dhe për këtë ministrja e punëve të brendshme dhe  prokuroria maqedonase të mos dinë asgjë apo të informohen nga gazetarët” shkruhet në komunikatën e DR-së.

Kjo parti thotë se nëse ndokush merr guximin që në Maqedoni të reagojë kundrejt gjithë këtyre fyerjeve, ofendimeve po fundja edhe terrorit të ushtruar ndaj bashkëqytetarëve të tij me një gjest që ndodh kudo në botë –  atëherë për çudi gjyqësia maqedonase tregon atë që nuk është në gjendje të tregojë tash më në këto njëzet e ca vjet të “demokracisë maqedonase” –  ekspedivitetin e vet.

“Dhe që ironia të jetë edhe më e madhe ajo është e gatshme të ndryshojë edhe ligjet dhe kodin penal vetëm e vetëm që të ngopë ndjenjat shoviniste të qeverisë aktuale. Nga e gjitha kjo që ndodhi në Strugë me njërin nga bashkëqytetarët tanë dërgohet vetëm një mesazh i qartë – qytetarë shqiptar ruajuni nga gjyqësia  maqedonase” shkruhet në komunikatën e DR-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button