Përfundon protesta e Vetëvendosjes

Protesta e Lëvizjes Vetëvendosje para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës përfundoi, me disa domate të hedhura në këtë objekt, në shenjë kundërshtimi me bisedimet teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Disa nga protestuesit kishin arritur të depërtojnë brenda oborrit të qeverisë, nëpërmjet derës së pasme të rrethojave të kësaj ndërtese.

Protesta e VV-së u zhvillua me rastin e vizitës së Robert Kuperit në Prishtinë, ndërmjetësit të Bashkimit Evropian në bisedimet teknike.

Kuper pritet të zhvillojë takime me shefen e delegacionit kosovar në këto bisedime, Edita Tahiri, por zyrtarisht asnjë informacion nuk është dhënë për këtë vizitë.

Një ditë më parë, diplomati evropian ka qëndruar në Beograd, ku është takuar me  këshilltarin e presidentit të Serbisë, Marko Gjuriq.

Në deklaratën që ka lëshuar Presidenca serbe pas takimit thuhet se “bisedimet e deritashme janë element i rëndësishëm për arritjen e konsensuseve ndërmjet faktorëve politikë në Serbi”.

“Ky është njëri nga synimet e presidentit të Republikës dhe parakusht thelbësor për realizimin e interesave të Serbisë në Kosovë”, transmeton Presidenca serbe deklaratën e Gjuriqit.

Lajme të ngjashme

Back to top button