Debat i suksesshëm nga Qendra RACIO

Në hapësirat e Qendrës kulturore sot u mbajt debat edukativ i organizuar nga Qendra për zhvillim edukativ dhe kulturor “RACIO”.

Dhjetë nxënës të ndarë në dy grupe me qëndrime të ndryshme kundërshtuan argumentet për temën “Raporti profesor – nxënës duhet të jetë kryekëput formal dhe i bazuar në kodeksin e rrept profesional”.

“Qëllim kryesor i këtij projekti ishte nxitja e idesë së progresit të të rinjve tanë në rrafshin e formimit intelektual. Projekti përfshinte në vete ligjërata nga ligjërues të njohur si Gadaf Rexhepi, prof. dr. Kiril Temkov dhe prof. dr. Lulzim Murtezani” – tha në hapjen e debatit kryetari i “RACIO”, Fahmi Osmani.

Trajnues i nxënësve ka qenë Leonard Kaja, i cili lavdëroi kapacitetin që ka hasur tek nxënësit.

“Kjo është viti i tretë me radhë që punojmë këtë projekt. Për mua si trajner është përvojë e veçantë të shohësh se si janë nxënësit para se ti kalojnë trajnimet dhe si në debatin final. Falë punës profesionale për të dalë në fund në një nivel profesional, ndoshta edhe më mirë se ata që jemi mësuar ti shohim si fytyra publike” – tha Kaja.

Në fund të debatit u zgjodhën edhe debatuesit më të mirë dhe grupi më bindës.

“Gjatë kësaj periudhe të suksesshme me punëtori dhe seminare ne arritëm të finalizojmë punën dhe mundin tonë” – tha Emine Haxhiu, e cila u zgjodh si debatuesja e dytë më e mirë.

“Eksperienca dhe përvoja e bën të veten, u ndava me çmimin e tretë. I uroj nxënësit fitues prej grupit më të mirë. Thuhet se bashkimi bën fuqinë, dhe përderisa njëra dorë e lan tjetrën dhe të dyja lajnë fytyrën, kjo është formula e suksesit, së bashku më të fortë” – shtoi nxënësja e SHMSH “Arseni Jovkov, Emine Haxhiu.

Trajnuesi Leonard Kaja paralajmëroi zgjerim të punës së suksesshme me aktivitete edhe në qytete tjera të Maqedonisë.

“Planifikohet që aktiviteti të zgjerohet si në aspekt të moshës, ashtu edhe në aspekt gjeografik” – tha Kaja.

Lajme të ngjashme

Back to top button