Riparohet rezervuari i vjetër në Debresh

Për të zgjidhur përfundimisht çështjen e ujit për pije në fshatin Debresh, këtë vit Komuna e Gostivarit ka vijuar investimet në vënien në funksion të rezervuarit të vjetër të fshatit. Krahas sanimit të rezervuarit të vjetër, do të sanohen edhe burimet e ujit në Vranjofcë dhe Jollovcë, burime këto që shfrytëzohen për furnizim me ujë të pijshëm për fshatin Debresh, e që deri tani nuk ishin shfrytëzuar me kapacitetetin që posedojnë.
 
“Viti 2011 lirisht mund të themi se ishte viti i investimeve në fshatin Debresh. U investuan shumë mjete në drejtim të përmirësimit të kapaciteteve për furnizim me ujë të pijshëm dhe në përgjithësi në infrastrukturë. U investuan rreth 250 mijë euro në këtë drejtim, ndërsa investimet vazhdojnë edhe sivjet. Ashtu siç planifikuam, filluam me sanimin e rezervuarit të vjetër për ujë të pijshëm në këtë fshat. Një rezervuar tejet i rëndësishëm edhe pse me dimensione dhe kapacitete të vogla. Pas sanimit të plotë, me këtë rezervuarë do të bëhet furnizimi me ujë të pijshmë i zonës së sipërme të fshatit”, njofton Vullnet Çerkezi – drejtor teknik në Ndërmarrjen Publike “Komunalec”. 
 
Me rezervuarin e ri që u ndërtua vitin e kaluar, do të furnizohet pjesa tjetër e fshatit. I rëndësishëm është edhe sanimi i burimeve në fshatin Vranjofcë, aty janë tre burime shumë të rëndësishme dhe që deri tash nuk janë përfshirë. Do të bëhet edhe sanimi i burimeve edhe në Jollovcën e Epërme, ku po ashtu ka kapacitete të pashfrytëzuara./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button