Mitropoliti fajëson Cipras: Zjarri i madh është një mesazh i qartë i qiellit!
Me reagime të mëdha është pritur deklarata e mitropolitit të Kalavritës dhe Egaleos, Amvrosios, i cili në momentet e zisë treditore kombëtare në Greqi fajëson si shkaktar kryesor për tragjedinë me dhjetëra të vdekur nga zjarret vrastare të orëve të fundit, kryeministrin grek ,pasi sipas tij, ai dhe stafi i tij janë ateistë, njofton TCH.
Kush, tjetër është përgjegjës për largimin e grekëve të rinj nga rruga e Perëndisë? Pyet ai dhe përgjigjet – Kryeministri ateist z. Aleksis Cipras me bashkëpunëtorët e tij, ai që shiti Maqedoninë tonë dhe lufton ortodoksinë”.
Kryepeshkopi i Greqisë Ieronimos është distancuar menjëherë nga deklaratat e jerarkut grek duke i cilësuar si personale pikëpamjet e tij, dhe që nuk shprehin qëndrimin zyrtar të Kishës Greke.
Mitropoliti Amvrosios, një nga kundërshtarët më të mëdhenj të qeverisë Cipras që kërkon ndarjen e Kishës nga shteti, megjithëse u akuzua për “nxitje publike të dhunës, urrejtjes dhe shpërdorimit të detyrës kishtare”, pasi i quajti homoseksualet llum i shoqërisë, është shpallur i pafajshëm nga një gjykatë greke në marsin e kaluar, pavarësisht reagimeve të mëdha të opinionit publik.