Është shmangur atentat ndaj Sali Berishës!

Shefi i komanduar në Gardën e Republikës, Artan Hoxha, ka dëshmuar ditën e djeshme në gjyqin ndaj ish-eprorit të tij Ndrea Prendi dhe dy të pandehurve të tjerë, për demonstratën e dhunshme të 21 Janarit. Gjatë seancës Hoxha ka bërë një deklaratë të fortë se në 21 Janar ishte paralajmëruar një atentat ndaj kryeministrit Sali Berisha.

Informacioni

Ky ishte informacioni sekret që mori Garda e Republikës, kur sapo kishte nisur protesta e opozitës. Informacioni iu përcoll drejtuesve të gardës rreth orës 13.00,të datës 21 Janar dhe menjëherë u morën masa xheniere për shmangien e atentatit. Këto ishin deklaratat e ish komandantit të Gardës dhe drejtuesit aktual të saj, Artan Hoxha, gjatë dëshmisë së tij, në procesin gjyqësor të 21 Janarit.

“Ishte ora 13.00 e datës 21 janar, kur nga personeli i Gardës marr njoftimin se kishte mbërritur një shkresë nga Drejtoria e Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit e cilat na bënte të ditur se nga informacionet e tyre, persona të identifikuar nga policia me dy automjete, një me targa të huaja dhe një me targa të Shkodrës po përgatiteshin të sulmonin eskortën e kryeministrit rreth orës 16.00 kur ai të kthehej në banesën e tij. Pika e dytë e kësaj shkrese kishte të bënte më një tjetër informacion se një grup të rinjsh prej 300- 400 personash, një pjesë e tyre me precedentë penalë do të sulmonin dhe merrnin parlamentin. Pas këtij informacioni ne morën masa shtesë xheniere për ti shmangur ato”, tha Artan Hoxha, komandanti i Gardës, i komanduar.

“S’kishte urdhër për të qëlluar”

Komandanti i Gardës, Hoxha deklaroi para gjykatës se në asnjë rast nuk kishte urdhër për të qëlluar mbi protestuesit, edhe pse në shumë raste efektivët e gardës ishin të kërcënuar për jetën. Ndërkohë, ai ka dhënë detaje edhe në lidhje me takimin mes tij, Ndrea Prendit dhe ish-ministrit te Brendshëm, Lulëzim Basha, brenda ambienteve të Kryeministrisë. Sipas Hoxhës, Prendi i ka kërkuar Bashës të rivendoste kordonin e policisë, i cili ishte larguar duke lënë gardistët nën sulmin e protestuesve.

Pas komandantit Artan Hoxha, seanca vijoi me dëshminë e 4 efektivëve të tjerë të gardës, si dëshmitarë të kërkuar nga Prokuroria. Për ngjarjen e 21 Janarit të pandehur për vrasje janë Ndrea Prendi,gardisti Agim Llupo dhe Margarit Kume për pengim të zbardhjes së të vërtetës./tiranaobserver/

Lajme të ngjashme

Back to top button