Athina quan Gruevskin nacionalist, Niemetz për vizitë në Greqi

Retorika e Gruevskit është arrogante dhe populiste që shërben vetëm për konsum të brendshëm politik. Këto komente i ka bërë zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, Grigoris Delavekuras duke u referuar deklaratave të Gruevskit dje pas takimit me sekretarin gjeneral të KB-ve, Ban Ki-Moon.

“Kjo arrogancë dhe ky populizëm nacionalist për qëllime të brendshme janë një drejtues i keq. Retorika propaganduese e kryeministrit të Maqedonisë, që shërben për konsum të brendshëm politik, flet se ai nuk e ka shfrytëzuar takimin me Sekretarin Ki-Moon që të bëjë përparim në zgjidhjen e kontestit të emrit. Ai u angazhua edhe një herë të vazhdojë me propagandën e njohur se pala greke s’ka vullnet ose ky është i zbehtë. Kjo s’është e vërtetë, është gënjeshtër dhe kokëfortësia e kryeministrit Gruevskit përgjatë tërë mandatit të tij e vërteton më së miri këtë”, ka thënë Delavekuras.

Ndërkaq, ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit, Metthew Niemetz gjatë paradites së sotme do të takohet me negociatorin Adamantios Vasilakis. Niemetz do t’ia përcjellë Qeverisë greke bisedat me kreut e shtetit maqedonas, të cilat ai i vlerësoi si konstruktive. 

Delavekuras, para vizitës së Niemetz deklaroi se nuk është optimist, por se shpreson se Niemetz do të sjellë sinjale pozitive nga udhëheqësia e shtetit fqinjë.

Dje sekretari gjeneral i OKB-së, Ban Ki Moon, gjatë takimeve me përfaqësuesit shtetëror në Maqedoni, lajmëroi se personalisht do të angazhohet për përshpejtimin e procesit të zgjidhjes së çështjes së emrit./Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button