Moon: Personalisht do të ndihmoj në çështjen e emrit

Sekretari gjeneral i Kombeve të bashkuara (KB) Ban Ki Moon, i cili gjendet për vizitë në Maqedoni, pas bisedës me kryetarin Ivanov shprehi gatishmëri që personalisht të angazhohet për tejkalimin e kontestit shumëvjeçar me emrin. Ai shprehi gatishmëri që të bisedojë me kryeministrin grek Andonis Samaras. Sipas tij, për keqardhje është fakti që kontesti me emrin po e ndërpret zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. 

Ndërkaq, kryetari Ivanov kërkoi nga Ban që organizata botërore ta ketë parasysh vendimin e Gjykatës ndërkombëtare të Hagës dhe Greqia ta respektojë marrëveshjen e përkohshme. Në këtë kontest ai u shpreh se duhet të udhëhiqen bisedime në  kuadrin e paraparë, e jo për çështje për të cilat, sipas  tij, askush në këtë planetë nuk kishte biseduar.

Sekretari gjeneral i KB në Shkup do të takohet me kryeministrin Nikolla Gruevski dhe me kryetarin e Kuvendit Trajko Veljanoski, ndërsa do të mbajë fjalim edhe para deputetëve.
Ndërsa mbrëmë në takimin e Ivanovit me ndërmjetësuesin Matthew Nimetz, ky i pari edhe një herë e ka përsëritur pozicionin shtetëror të Maqedonisë.

“Jemi të gatshëm që menjëherë, pa shtyerje, të ulemi në tryezë, të kërkojmë dhe të gjejmë zgjidhje. Zgjidhja mund të arrihet. Pres nga ju të apeloni tek pala tjetër që t’i përmbahet vetëm kornizës në të cilën po zhvillohen bisedimet dhe të mos hyjë në çështje të tjera, siç janë gjuha dhe identiteti”, theksoi presidenti i Maqedonisë duke shtuar se ato janë parakushtet themelore për gjetjen e zgjidhjes në të cilën nuk do të ketë fitimtarë dhe të mposhtur./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button