Dëbimi i heshtur i një populli të tërë

Bota mirëpriti përfundimin e diktaturës ushtarake në Birmani dhe po investon në këtë shtet. Por për popullin e shtypur për dekada të tëra, Rohingia të besimit mysliman, asgjë nuk është përmirësuar: ka tashmë disa javë që është duke u zhvilluar një luftë e përgjakshme, me qindra mijëra njerëz në arrati. Por këta njerëz nuk e dinë se ku të shkojnë, ngase as Bangladeshi fqinj nuk i dëshiron.

Fatkeqësia filloi me një vrasje. Thidar Htve 26 vjeçare ishte duke shkuar në shtëpi, kur ajo në fund të majit u sulmua, u dhunua dhe u vra nga tre meshkuj. Shumë shpejtë qarkulloi lajmi se vrasësit ishin myslimanë, nga radhët e popullit Rohingia, një pakicë që jeton në perëndim të Birmanisë. Viktima e tyre ishte budiste. Sulmuesit u arrestuan dhe dukej se situata u qetësua.
Një javë më vonë, në fillim të qershorit, një turmë prej rreth 300 budistëve ndali një autobusë me pelegrinë myslimanë. Nuk ishin banorë të rajonit, por udhëtarë nga ish-kryeqyteti Rangun. Udhëtarët u detyruan që të dalin nga autobusi. Turma u hodh mbi ta, dhjetë persona u rrahën për vdekje, në shenjë hakmarrje për vrasjen e Thidar Htvesë.

Moshahida Sultana Ritu, ekonome në Universitetin e Bangladeshit, ngjarjet në Birmani i cilësoi si spastrime etnike të nxitura nga shteti.

Askush nuk mund të shpjegojë se pse përballen Rohingiat me një urrejtje të tillë. Gazetat shtetërore në Birmani shpesh i quajnë “kalar”, pra të zi. Ata në mënyrë fyese quhen “arabë” dhe “bengalë”, pra se nuk e kanë vendin në Birmani. Madje as Aung San Suu Kyi dhe partia e saj ngurrojnë që të marrin një qëndrim publik për Rohingiat. Suu Kyi deri me tani nuk e ka folur asnjë fjalë të vetme për dhunën kundër Rohingiave në Birmani. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button