Isa Mustafa tregon çka bisedoi me Ramush Haradinajn dhe cilët liderë politikë e institucionalë e kanë vizituar

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka treguar se të shtunën në mbrëmje ka pritur në shtëpinë e tij kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka sqaruar se në takimin me kryeministrin e vendit ia ka shprehur atij qëndrimet e LDK-së për dialogun me Serbinë.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se kush nga liderët politikë, krerët institucionalë të vendit dhe diplomatët e kanë vizituar deri tash, gjatë kohës së rehabilitimit të tij, pas kthimit nga tretmani mjekësor në Gjermani, transmeton Telegrafi.

Postimi i plotë i Mustafës:

“Të dashur miq,

Mbrëmë prita Kryeministrin Haradinaj, me të cilin diskutuam lidhur me qëndrimet e LDK-së për dialogun me Serbinë, qëndrime këto të cilat i kemi bërë publike si Kryesi e LDK-së dhe nga takimi me kryetarët e degëve të LDK-së.

Pas kthimit tim në Kosovë, para tre muajsh, ku akoma jam në proces të rehabilitimit fizioterapeutik, më kanë vizituar Presidenti Thaçi, Kryeministri Haradinaj, zv.Kryeministri Limaj, zv.Kryeministri Pacolli si dhe Kryetari i VV-së, z.Kurti.

Jam takuar me Ambasadorin e SHBA-së, Greg Delawie, me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ruairí O’Connell, më ka vizituar Ambasadorja e BE-së, znj.Apostolova dhe Shefja e EULEX-it, znj.Papadopoulou.

Të gjithëve u jam falenderues për kujdesin dhe korrektësinë e treguar.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë kontributin e saj në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës dhe këtë kontribut po e jep edhe tani si subjekt opozitar parlamentar.

LDK është unike në çështjet madhore siç është edhe pozicionimi i saj lidhur me fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë.

Të gjitha qëndrimet e LDK-së janë të koordinuara me Kryesinë e LDK-së, me nënkryetarët e LDK-së, me sekretarin e përgjithshëm, me shefin e Grupit Parlamentar, me nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e LDK-së dhe me kryetarët e degëve të LDK-së”, ka shkruar Mustafa.

Ndryshe, mediat mbrëmë kanë raportuar se kryeminsitri Haradinaj ka vizituar liderin e LDK-së, Isa Mustafa, e ku thuhet se kanë qenë të pranishëm edhe disa anëtarë të kryesisë, deputetë dhe zyrarë të lartë të LDK-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button