Gostivar, mbyllet plotësisht deponia lokale

Deponia lokale në vendin e quajtur “Meçkin doll” në të cilën prej një muajsh nuk deponohen mbetjet urbane, mbulohet me shtresë dheu në trashësi prej 40 centimetrash që më pas të bëhet edhe gjelbërim i saj si dhe do të mbillen fidane.

Rustem Iljazi, koordinator për pastërti publike në Ndërmarrjen Publike “Komunalec”, njofton se me masat teknike që janë duke u ndërmarrë me mbulimin e hapësirës ku më herët deponoheshin mbetjet urbane, do të minimizohen në maksimum dëmet ekologjike.

“Tashmë një muaj, Ndërmarrja publike komunale ka hequr dorë nga përdorimi i deponisë së qytetit, duke bartur mbetjet urbane në deponinë ‘Rusino’ që ndodhet 8 kilometra larg qytetit. Tash e disa ditë jemi duke ndërmarrë masa teknike për të mbuluar atë me një shtresë dheu. Në vjeshtë do të bëhet edhe gjelbërimi i saj, si dhe do të mbillen fidanë akacia. Masat e ndërmarra teknike për mbulimin e sipërfaqes me dhé, do të mundësojnë minimizimin e dëmeve nga prezenca e mbetjeve nën tokë”, theksoi Iljazi.

Nga NP “Komunalec” apelojnë deri te qytetarët e Gostivarit me rrethinë, që mos të hedhin mbetjet në sipërfaqen e kësaj deponie, pasi që ajo tashmë nuk do të përdoret për qëllime të tilla.

“Apelojmë deri te qytetarët që në asnjë formë mos bëjnë hedhjen e mbetjeve urbane në hapësirën e kësaj deponie. Inspektorët komunalë dhe organet e rendit kanë kompetenca që rastet e tilla t’i sanksionojnë bazuar në Ligjin për pastërti publike. Mbyllja e deponisë ka për qëllim shmangien nga ndotja e ambientit, andaj edhe qytetarët duhet të kenë kujdes që në asnjë mënyrë të mos rrezikojnë natyrën në përgjithësi”, apelojnë nga NP “Komunalec”./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button